
Policia dhe prokuroria e Fierit mbajtën sot një konferencë ku dhanë detaje për goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafik armësh dhe lëndë narkotike. Gjatë konferencës, njëri prej gazetarëve të pranishëm, pyeti drejtuesit e institucioneve sesa të gatshëm janë për të luftuar grupet kriminale në këtë qytet duke thënë se shpesh konsiderohet si “akademi krimi”.
Gazetari: Shpeshherë grupet kriminale të Fierit janë quajtur si akademia apo universiteti për krijimin e bandave të ndryshme. Sa të vështirë e ka policia për të çmontuar këto struktura kriminale?
“Prokuroria e Fierit është e angazhuar për të luftuar të gjithë personat e përfshirë në veprimtari kriminale. Për ne nuk ka të paprekshëm”- u përgjigj kryeprokurori i Fierit.
Ndërsa drejtori i policisë vendore, Skënder Hitaj tha se me këtë operacion të zhvilluar, policia nuk lë vend për aludime dhe mohoi të ketë vend për grupe kriminale të tilla siç pretendoi gazetari.
“Edhe ky operacion i sotëm tregon më së miri se policia dhe prokuroria janë në krye të detyrësh. Siç ishte ky operacion ku rezultatet janë shumë të mira, ashtu do jenë të gjithë. Kështu që nuk ka vend për aludim për grupe apo akademi dhe studentë që thua ti”- deklaroi Hitaj. Versus.al







