
Autoritetet britanike arrestuan në Londër 47-vjeçarin Lorenc Lala, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të operacionit kundër grupit kriminal të Laert Haxhiut.
Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimit, të para nga TopChannel, Lorenc Lala po përballet me procedurat për t’u ekstraduar në Shqipëri.
Ai akuzohet për porositjen e vrasjes së Albi Bashaliut, e kryer më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjoçaj të Peqinit.
Vrasja u zbardh nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili dëshmoi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) se ekzekutimi u pagua me 30 mijë euro, para që i solli Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut. Shuma u nda midis Laert Haxhiut, Lulzim Arapit dhe vetë Tafanit.
Tafani sqaroi se Laert Haxhiu kërkoi “kokën” e Bashaliut në nder të mikut të tij Lorenc Lala, i njohur me nofkën “Lili”, i cili kishte armiqësi me dy vëllezërit Xhahysa, pasi pretendonin se Bashaliu kishte vrarë babanë e tyre.
Gjithashtu, i penduari dha detaje për organizimin e ngjarjes, duke përfshirë udhëtimet me makina me qira në Peqin për identifikimin e viktimës, ekzekutimin dhe largimin nga vendi i ngjarjes. Gjatë vrasjes, Tafani dhe Laerti ishin fshehur në një banesë me qira në zonën e Astirit, e marrë në emër të një shoqeje të të dashurës së Laertit.
Sipas dëshmisë në gjyq, “Lili” është krahu i djathtë i Saimir Taullaut, një figurë e krimit të organizuar në Lushnjë, i arrestuar për trafik droge. Familja Taullaut është rivalë e grupit të Aldo Bares, ndërsa në vitin 2005 ekzekutoi Baki Taullaun, vëllain e Saimirit./Versus.al







