Trafiku i automjeteve që qarkullojnë në vend pritet të jetë edhe më i rënduar si pasojë e hyrjeve të shumta në Shqipëri nëpër pikat e kalimit kufitar. Vetëm në pikën kufitare të Morinës nga mëngjesi e deri në orët e mesditës kanë hyrë mbi 61 mijë shqiptarë nga Kosova me rreth 19 mijë automjete.
Kjo ka shkaktuar radhë të gjata të automjeteve. Ndërsa fluks i lartë hyrjes janë shënuar edhe në jug ku 7 mijë shqiptarë kanë hyrë gjatë ditës së sotme. Pala shqiptare ka punuar me 6 sportele, ndërsa ajo greke me 4 sportele.
Ngarkesë e madhe u shënua edhe në pikat kufitare të Shkodrës. Në Muriqan dhe Han të Hotit janë përpunuar mbi 32 mijë shtetas, prej të cilëve 14 mijë në hyrje të Shqipërisë, me një total prej 11 mijë automjetesh.
Në Kapshticë deri në mesditë u regjistruan rreth 10 mijë hyrje-dalje, nga të cilat 6 mijë vetëm në hyrje, ndërsa në Qafë Thanë kanë kaluar rreth 11 mijë shtetas, prej tyre 6 mijë në drejtim të Shqipërisë. Versus.al







