
Situata në Partinë Demokratike nuk duket aq e “paqtë” pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kur Partia Socialiste arriti të merrte plot 83 mandate deputetësh.
Pavarësisht pretendimeve për farsë zgjedhore, përdorimin e administratës dhe të grupeve kriminale në zgjedhje, kritikët brenda PD kërkojnë riformatim duke nisur që nga lidershipi. Përsa i përket një mundësie të tillë, nënkryetari i PD Luçiano Boçi tha për TCH se ishte totalisht kundër dhe se një Berisha nuk mund të largohet pasi ka votat e demokratëve.
“Si mund të largosh një njeri nga drejtimi kur atë e vendos apo e heq vota apo vullneti i demokratëve? Jam disaprovues totalisht. Në PD, secili ka mendimin e vet ndryshe, mund ta shprehë, është diçka që ne e kemi pranuar vetë, e kemi zhvilluar dhe lejuar dhe kemi pranuar edhe fraksionet, dhe nëse dikush ka autoritetin për të bërë një fraksion, le ta bëjë; të mos e tregojë me autoritetin për ta hequr. Ne duhet të ndërtojmë; për të shkatërruar bëhet shumë kollaj”, thotë Boçi.
Ai e konsideroi revoltën e kritikëve si diçka momentale që do të kalojë.
“Ndërsa kjo më duket pasion momental, çështje dhe spinimesh apo edhe çështje e marrjes përsipër e atyre veprimeve që tërheqin vëmendjen. Do kalojë!”, shton ai.
Megjithatë për zgjedhjet e 11 majit, Boçi i qëndroi bindjes së tij se nuk pati asnjë veprim nga SPAK për të ndaluar krimin zgjedhor dhe se humbja ishte artificiale e shkaktuar nga përdorimi i administratës, blerja e votës dhe ndikimi i krimit të organizuar. Ai tha se nëse do të duhet të bëhen zgjedhje brenda PD, ai do të jepte dorëheqjen.
“Ne po themi që kjo humbje nuk është natyrale politike, është artificiale, ka ardhur nga krimi i organizuar që ka përcaktuar dhe kandidatët, kriminalizimi i administratës, blerja e votës, shkelja e ligjit zgjedhor. SPAK mori përsipër të pengonte krimin zgjedhor dhe u bë palë, pra nuk është humbja klasike politike, dhe përballë kësaj ka vend për të rregulluar, po jo ta paraqesim sikur duhet të bëjmë revolucion, duhet të bëjmë rotacion. Nëse ne do kishim zgjedhje, po e nis nga vetja dhe unë do kisha dhënë direkt dorëheqjen”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Përsa i takon rinisjes së seksionit parlamentar në shtator, Boçi nuk përjashtoi grevat dhe format e tjera të protestave kundër qeverisë.
“Do jetë marrëdhënie e kushtëzuar, do jetë marrëdhënie e bojkotuar sepse është mosnjohja në mes; do jetë aksion i fortë politik duke qenë brenda parlamentit, përfshirë edhe greva dhe ngujime apo forma të tjera të shprehjes së protestës politike në Parlament; gjithçka është pjesë e vendimmarrjes politike”, përfundon Boçi. Versus.al







