
Gazeta El Tempo i ka kushtu një artikull të gjatë bosit të drogës Dritan Gjika. Në artikull fliet për lidhjet e Gjikës me botën e krimit dhe luksin në të cilën jeton sipas kësaj media.
Shkrimi i plotë i El Tempos:
Emra si Stambolli, Guayaquil, Dubai, Bogotá, Tirana dhe Cali figurojnë në listën e destinacioneve të udhëtimeve të Dritan Gjikës – një figurë kyçe në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Sipas autoriteteve kolumbiane, Gjika është një nga drejtuesit e asaj që presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e ka quajtur "bordi drejtues i narkotrafikut", dhe besohet se fshihet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Lëvizjet e tij të shpeshta përmes disa prej qyteteve më të mëdha të botës, përfshirë edhe Tiranën, tregojnë për një aktivitet të mirëorganizuar dhe ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike, ku përfshihen jo vetëm Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, por edhe Ballkani.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë në disa vende, emri i Dritan Gjikës po shfaqet gjithnjë e më shpesh në dosjet e shërbimeve ligjzbatuese si një nga figurat më të rrezikshme dhe më të kërkuara në skenën globale të krimit të organizuar.
Presidenti (i Kolumbisë) iu referua Dritan Gjikës më 28 maj, dy ditë pasi ky bos droge, me kombësi shqiptare, u arrestua në një rrugë të Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kishte mbërritur duke u paraqitur si një investitor.
Shtegu në Kolumbi

Presidenti foli për shtetasin shqiptar dhe për bosë të tjerë droge me kombësi të ndryshme (kroatë, serbë, francezë, holandezë, meksikanë, paraguaianë dhe amerikanë), të cilët janë pjesë e një klani mafioz që, së bashku me disa kolumbianë, dyshohet se po planifikojnë atentate kundër tij. Përveç kësaj, ai i cilësoi si "zotët e rinj" të trafikut të drogës.
Gazeta EL TIEMPO ka hetuar dhe ka zbuluar se, përtej deklaratave të presidentit në Tëitter, agjencitë federale tashmë kanë informacione të detajuara për aleatët e fuqishëm kolumbianë të Dritan Gjikës, i njohur me nofkën “Tony”.

Struktura e korporatës
Kjo gazetë ka pasur qasje në një dosje konfidenciale, në të cilën thuhet se kapoja i fuqishëm shqiptar ka regjistruar dhjetëra hyrje në Kolumbi. Një nga udhëtimet e tij në Bogotá daton më 24 janar 2022, pas një turneu në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi.
Ajo që dihet është se Gjika udhëtonte nëpër Evropë për të mbledhur porosi për kokainë kolumbiane, udhëtonte drejt Calit për të negociuar për alkaloidin që e fshihte në hacienda në rajonin Valle del Cauca, dhe më pas zhvendosej drejt kufirit me Ekuadorin, ku ndjehej i sigurt.

Gazeta EL TIEMPO ka hetuar dhe ka zbuluar se kapoja shqiptar ka themeluar në Guayaquil të paktën katër kompani: Agricontrade S.A., Cresmark S.A., Cannmaná S.A. dhe Negoglobal S.A., të cilat janë të specializuara në kultivimin e kanabisit me lule, kallamit të sheqerit, si dhe në eksportin e mineraleve.
Me këtë maskë, ai lëvizte në Kolumbi si një biznesmen dhe lidhi kontakte me kompani të njohura të prodhimit të bananeve në Ekuador, të cilat, sipas hetimeve, u përdorën për të dërguar kokainën kolumbiane drejt Evropës.

Ai dhe bashkëshortja e tij, ekuadoriania Ashley Ruiz, blenë një vilë luksoze në një zonë ekskluzive në periferi të Guayaquil-it, ku autoritetet gjetën një BMë X6 të bardhë, me vlerë mbi 120.000 dollarë, dhe një Porsche Cayenne të zi, me vlerë 149.990 dollarë, i cili gjithashtu ishte i pajisur me blindim të nivelit 3 dhe ishte i regjistruar në emër të kompanisë Agricomtrade, një prej bizneseve të lidhura me narkotrafikantin.
Gjithashtu u gjet një Chevrolet Corvette dhe u lokalizua një jaht, i blerë nga bashkëshortja e kapos në tetor të vitit 2020, për një vlerë prej 50.000 dollarësh: një Sea Ray Sundancer 310, të cilin ajo e kishte pagëzuar me emrin “Recreo”.
Partneri i 'Zyrës'

Në Dubai, sipas agjentëve federalë, Dritan Gjika jetonte një jetë luksoze. Autoritetet i kanë lokalizuar automjete të shtrenjta, akomodime në vila dhe udhëtime me fluturime çarter. Aktualisht po hetohet nëse ai zotëron pasuri edhe në Kolumbi.

Është konfirmuar tashmë se ai ka një bashkëpunëtor shumë të fuqishëm, i cili është furnizuesi kryesor i kokainës që mbërrinte në Evropë përmes porteve të Algeciras në Spanjë, si dhe në Francë, Holandë dhe madje arritën të kalonin një ngarkesë edhe në Shqipëri.
"Ai filloi të përdorte shkurtime për emrin e tij pasi DEA e kapi në Shtetet e Bashkuara", tha një agjent antimafia.
Ai shtoi se autoritetet në Medellín e dinë saktësisht se kush është ai dhe tani po kërkojnë prova për ta kapur përsëri. Tashmë ka të dhëna rreth pronave dhe lidhjeve të tij me "Tony". Ekzistojnë gjithashtu biznese mafioze dhe komunikime me bosë të tjerë droge që fshihen në Dubai dhe Abu Dhabi.
Kontaktet dhe Pecci

EL TIEMPO ka zbuluar se në Kolumbi po shqyrtohet mundësia që Drejtoria Kombëtare e Inteligjencës (DNI), në bashkëpunim me agjenci të huaja, të lokalizojë bosët kolumbianë të drogës që fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjithashtu, në nivel Prokurorie, është zyrtarizuar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi mes autoriteteve kolumbiane dhe atyre paraguaiane për të gjurmuar narkotrafikantin nga Urug Sebastián Marset, të cilin presidenti Gustavo Petro e ka lidhur me vrasjen në Kolumbi të prokurorit paraguan Marcelo Pecci.
“Pse çështja e vrasjes së prokurorit Pecci përfundoi në duart e prokurorit Burgos dhe pse ai nxori vrasësin nga procesi? Ky është narkotrafikanti Marset”, u shpreh presidenti Petro në shkurt.

Më 1 maj, gjatë fjalimit të tij në sheshin Bolívar në Bogotá, me rastin e Ditës së Punës, presidenti Petro përsëriti referencat ndaj Sebastián Marset dhe foli për dyshime mbi bashkëpunime apo mbulim të çështjes së vrasjes së prokurorit Pecci.
Pas arrestimit të bashkëshortes së tij, Marset ka dërguar disa ditë më parë një letër në disa media paraguaiane, ku kërcënon autoritetet dhe sfidon shtetet e tjera që të guxojnë ta arrestojnë.
Sa i përket Dritan Gjikës, nuk përjashtohet mundësia që qeveria e Petro-s të kërkojë që ai të merret në pyetje për lidhjet e tij me bashkëpunëtorët kolumbianë në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë edhe një person të njohur me nofkën "JR"./Përshtati në shqip Versus.al







