AKTUALITET /

Dosja e SPAK/ Roli i nipit të Salvator Aliut në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës, “Kiçi” komunikime me dajon për magazinimin dhe shpërndarjen

Sipas SPAK, Oklid El Ouejdi dyshohet se ishte një nga personat kryesorë të organizatës kriminale dhe përgjegjës për pritjen, magazinimin dhe më pas shpërndarjen e ngarkesave me kokainë që dërgoheshin nga Ekuadori drejt Evropës nga daja i tij

Shkruar nga Versus

Dosja e SPAK/ Roli i nipit të Salvator Aliut në rrjetin

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e SPAK-ut mbi rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës, ku një rol të rëndësishëm dyshohet se ka pasur shtetasi shqiptar Oklid El Ouejdi, i njohur edhe me emrat Oklid Dalipi dhe Oklid Aliu, i thirrur me nofkën “Kiçi”, sic njihet në Elbasan.

Oklid Aliu është mes 9 personave që SPAK ka shpallur në kërkim dhe është nipi i Isa Aliut dhe Salvatore alias Shpëtim Aliu.

Sipas materialeve hetimore siguruar nga dosja e SPAK që disponon Versus Albania, të dhënat e përftuara nga komunikimet në platformën e koduar SKY ECC tregojnë se i hetuari Salvatore Aliu ka mbajtur kontakte të rregullta me përdoruesin e kodit SKY ECC “SIKPKA”, i identifikuar nga hetuesit si Oklid El Ouejdi. Ky i fundit rezulton të jetë nipi i Salvatore Aliut, djali i motrës së tij.

Nga hetimet rezulton se komunikimet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe pothuajse të përditshme gjatë periudhës 20 gusht – 21 shtator 2020, çka sipas SPAK-ut tregon përfshirjen aktive të El Ouejdit në strukturën kriminale të drejtuar nga Salvatore Aliu.

Sipas dosjes, Oklid El Ouejdi dyshohet se ishte një nga personat kryesorë të organizatës kriminale dhe përgjegjës për pritjen, magazinimin dhe më pas shpërndarjen e ngarkesave me kokainë që dërgoheshin nga Ekuadori drejt Evropës nga daja i tij.

Hetuesit thonë se kokaina që mbërrinte në Evropë ruhej fillimisht në Belgjikë, në ambiente të sigurta të kontrolluara nga El Ouejdi. Më pas ajo përpunohej dhe shpërndahej drejt vendeve të tjera evropiane, si Gjermania, Italia, Franca, Zvicra dhe Anglia.

Sipas SPAK-ut, lënda narkotike trafikohej e fshehur në automjete të modifikuara posaçërisht për transportimin e drogës. Pas mbërritjes në destinacion, ajo merrej në dorëzim nga anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët vepronin në vende të ndryshme të Evropës.

Nga komunikimet e përgjuara dhe pohimet e vetë El Ouejdit rezulton se ai kishte një aktivitet intensiv në tregtimin e kokainës. Sipas hetuesve, ai ka deklaruar se arrinte të shiste deri në 30-40 kilogramë kokainë në ditë. Dërgesat sipas dosjes realizoheshin nga Belgjika dhe Holanda drejt Francës, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Spanjës, Shqipërisë, Turqisë dhe Norvegjisë.

Hetimet tregojnë se në disa raste kokaina shkëmbehej me lëndë të tjera narkotike. Konkretisht, në Spanjë dyshohet se shkëmbehej me kanabis, ndërsa në Turqi me heroinë.

SPAK vlerëson se Oklid El Ouejdi ka luajtur një rol kyç jo vetëm në shpërndarjen e drogës, por edhe në koordinimin e aktivitetit të grupit kriminal në Evropë. Sipas dosjes, ai raportonte vazhdimisht tek Salvatore Aliu mbi zhvillimin e operacioneve, trafikun e kokainës dhe lëvizjet financiare të organizatës.

Një nga episodet e dokumentuara në dosje i përket datës 21 gusht 2020. Në komunikimet e zhvilluara atë ditë mes Oklid El Ouejdit dhe Salvatore Aliut, El Ouejdi i referon këtij të fundit një bisedë të marrë nga një person i quajtur “Grani”, identiteti i të cilit nuk është identifikuar nga hetuesit.

Sipas bisedës, një person nga Lushnja kishte pyetur nëse kishte kontakte me “ata elbasanllinjtë që janë lart në Ekuador”, duke iu referuar Salvatore Aliut dhe grupit të tij.

 Në mesazh thuhej se ata kishin nxjerrë me sukses një ton kokainë dhe se personi ishte interesuar të dinte nëse mund të përfitonte çmime më të favorshme për blerjen e një sasie prej 50 kilogramësh.

Në të njëjtin komunikim përmendet gjithashtu se persona të tjerë nga Tepelena informoheshin vazhdimisht për çdo operacion që kryhej me një person të quajtur “Çimi”, për të cilin hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për shtetasin Aleks ose Shkëlqim Pepaj.

Sipas SPAK-ut, kjo bisedë tregon se trafiku me sukses i një sasie prej një ton kokainë nga Ekuadori drejt Evropës ishte bërë tashmë i njohur në qarqet kriminale shqiptare që vepronin në vende të ndryshme të kontinentit.

Hetuesit vlerësojnë se sasia prej një ton kokainë, e përmendur në komunikime, dyshohet të jetë trafikuar nga Salvatore Aliu për llogari të kontakteve të tij kriminale në Evropë, si dhe për llogari të anëtarëve të organizatës që ai drejtonte.

Po më 21 gusht 2020, sipas komunikimeve të tjera të zbardhura nga SKY ECC, Oklid El Ouejdi i ka raportuar Salvatore Aliut edhe për lëvizje të konsiderueshme financiare.

Sipas dosjes, El Ouejdi i ka bërë me dije Aliut se kishte përgatitur për transferim një shumë prej 500 mijë eurosh, përmes një lidhjeje të Salvatore Aliut, identiteti i së cilës nuk është identifikuar nga hetuesit.

Në orën 20:38:05 të datës 21 gusht 2020, Oklid El Ouejdi i ka dërguar Salvatore Aliut fotografi të shumës së parave që do të transferoheshin, të shoqëruara me mesazhin: “500 gati për nesër”.

Sipas SPAK-ut, ky komunikim konsiderohet një tjetër provë që tregon qarkullimin e sasive të mëdha monetare brenda organizatës kriminale, para që dyshohet se buronin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe që përdoreshin për financimin e ngarkesave të reja narkotike dhe aktivitetit të grupit në disa shtete.

Poll