AKTUALITET /

4.1 ton të sekuestruara në Roterdam, si e zbuloi SPAK rrjetin ndërkombëtar përmes përgjimeve të SkyEcc, roli i Aleks Pepajt dhe Sokol Bibajt

Në dosje përmenden gjithashtu Aleks Pepaj dhe Sokol Bibaj, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në pritjen dhe menaxhimin e ngarkesave në portet europiane si Roterdami, Anversa dhe Bremeni.

Shkruar nga Versus

4.1 ton të sekuestruara në Roterdam, si e zbuloi SPAK rrjetin

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e SPAK, mbi hetimet e grupit të bosëve të kokainës.

Një prej episodeve është hetimi mbi një nga ngarkesat më të mëdha të kokainës të sekuestruara në Evropë, ku më 16 dhjetor 2020 në portin e Roterdamit janë kapur 4.128 kilogramë lëndë narkotike.

Sipas dosjes hetimore që ka siguruar Versus Albania, rrjeti i dyshuar kriminal ka operuar në disa kontinente, me lidhje në Amerikën Latine dhe në porte kryesore të Bashkimit Evropian, përfshirë Roterdamin, Anversin dhe Bremenin. Hetimet janë bazuar kryesisht në komunikime të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar SKY ECC.

SPAK identifikon si figurë qendrore të rrjetit Salvatore Aliu, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e furnizuesit dhe organizatorit të ngarkesave të kokainës nga vendet e origjinës në Amerikën Latine drejt Evropës.

Në anën tjetër, Sokol Bibaj dhe Florjan Musaj dyshohen si porositës dhe organizatorë të pritjes së ngarkesave në portet evropiane, si dhe për menaxhimin e shpërndarjes së lëndës narkotike pas mbërritjes në territorin e BE-së.

Sipas hetimeve, në rrjet kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë të paidentifikuar, të angazhuar në logjistikën e nxjerrjes së ngarkesave nga kontejnerët në porte dhe transportimin e tyre drejt magazinave të sigurta.

Nga analizimi i komunikimeve të përgjuara, rezulton se anëtarët e grupit kanë diskutuar për ngarkesa të mëdha kokaine, të shprehura në tonelata, si dhe për mënyrat e fshehjes dhe transportit të tyre përmes kompanive ndërkombëtare të transportit detar.

Në disa biseda të datës 7–8 tetor 2020, përmenden portet e Roterdamit dhe Anversit si pika kryesore të operacioneve, ndërsa diskutohen edhe ngarkesa të ndryshme që variojnë nga qindra kilogramë deri në disa ton.

Në një tjetër komunikim të datës 3 nëntor 2020, përmendet përgatitja e dy ngarkesave, njëra prej të cilave dyshohet të ketë qenë e destinuar për Bremenin.

Sipas SPAK, ngarkesa e sekuestruar në Roterdam më 16 dhjetor 2020, me peshë 4.128 kilogram kokainë, dyshohet të jetë pjesë e operacioneve të koordinuara nga ky rrjet.

Hetimet tregojnë se pas sekuestrimit janë regjistruar komunikime mes anëtarëve të dyshuar, përfshirë shkëmbim fotosh dhe mesazhesh mbi lajmin e kapjes së ngarkesës, duke konfirmuar ndërveprimin e tyre të drejtpërdrejtë në kohë reale.

SPAK thekson se rrjeti dyshohet të ketë pasur shtrirje të gjerë në disa shtete evropiane, ku lënda narkotike shpërndahej pas nxjerrjes nga portet kryesore. Në këtë proces dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe grupe të specializuara për nxjerrjen e kokainës nga kontejnerët në bashkëpunim me punonjës portualë të korruptuar.

Sipas hetimeve, këta bashkëpunëtorë përfitonin një përqindje të lëndës narkotike të nxjerrë, që varionte nga 10% deri në 20%.

Në dosje përmenden gjithashtu Aleks Pepaj dhe Sokol Bibaj, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në pritjen dhe menaxhimin e ngarkesave në portet europiane si Roterdami, Anversa dhe Bremeni.

Sipas SPAK, këta persona kanë bashkëpunuar me grupe të tjera të organizuara që operonin në disa shtete të Europës, duke siguruar nxjerrjen e kokainës nga kontejnerët dhe shpërndarjen e saj në tregjet lokale.

Dosja hetimore përmend gjithashtu lëvizje financiare në miliona euro, të cilat dyshohet se janë kryer përmes rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare të transferimit të parave, si dhe investime të kryera në disa vende, përfshirë Shqipërinë.

Sipas SPAK, këto fonde janë përdorur për financimin e ngarkesave të reja dhe për investime në aktivitete të ndryshme ekonomike.

 

Poll