
Protesta masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka vijuar sot në ditën e saj të 23-të radhazi, duke mbledhur sërish mijëra qytetarë në sheshin përpara Kryeministrisë.
Në emër të grupit koordinues të protestës, Dritan Goxhaj ka paraqitur një deklaratë politike ku janë shpalosur kërkesat e protestës, të cilat u cilësuan si “të panegociueshme” dhe të hartuara mbi propozimet e qytetarëve.
Sipas tij, protesta synon ndryshime rrënjësore në sistemin politik dhe institucional të vendit.
Pesë kërkesat e protestës
1. Dorëheqja e qeverisë
Kërkohet dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë kabinetit qeveritar.
2. Qeveri teknike tranzitore
Propozohet krijimi i një qeverie teknike jopartiake me mandat 12-mujor.
3. Kushtetutë e re
Kërkohet hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazi para ligjit dhe miratimi i saj me referendum popullor. Në këtë kuadër përfshihet:
ndryshimi i Kodit Zgjedhor
ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike
kufizimi i mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë jetës politike të një individi
4. Paketë ligjore ekonomike dhe mjedisore
Kërkohet:
anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”
anulimi i ligjit për “Trashëgiminë Kulturore”
shfuqizimi i “Paketës së Maleve”
shfuqizimi i ligjit për “Investimet Strategjike”
5. Kontratë e re sociale
Kërkohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të propozuar nga vetë protesta.

