Prej disa ditësh, një seri zjarresh të fuqishme ka përfshirë disa fshatra të zonës së Delvinës, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe jetën e banorëve. Situata është përkeqësuar ndjeshëm pasditen e së dielës, kur për shkak të erërave të forta dhe bimësisë së dendur, flakët janë përhapur me shpejtësi deri në fshatin Kalasë.
Forcat zjarrfikëse të Delvinës dhe Sarandës, të mbështetura nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile, janë angazhuar maksimalisht në përpjekjet për të ndalur përparimin e zjarrit. Ndërkohë, në ndihmë është dërguar edhe një helikopter i llojit Black Hawk, për të ndërhyrë nga ajri në zonat më të vështira.
Për shkak të rrezikut të lartë, policia lokale ka ndërhyrë për të evakuuar banorët e Kalasës, duke shmangur një tragjedi të mundshme. Flakët aktualisht janë duke kaluar mbi malin e Lukovës, ku era dhe terreni i vështirë po e bëjnë të pamundur kontrollin e situatës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndodhet në terren për të ndjekur nga afër operacionet dhe koordinimin ndërinstitucional për përballimin e emergjencës.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se të gjitha forcat shtetërore janë në gatishmëri të plotë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarreve dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. /Versus.al/







