Ajola Xoxa është kthyer në Shqipëri për të zbatuar vendimin e GJKKO të caktuar ndaj saj, pasi ndodhej në Romë, Itali.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme ndaj bashkëshortes së Veliajt është firmosur masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.
Ajo është shoqëruar nga Agjentët e BKH sapo ka zbritur në Rinas.
View this post on Instagram
Sipas njoftimit të SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij kanë ideuar, krijuar dhe kanë vënë në funksionim një mekanizëm që ka bërë të mundur marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat buronin nga fondet publike të bashkisë së Tiranës.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasen nën hetim AJOLA XOXA., si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK lidhur me rastin.








