Tiranë – Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Prokuroria e Posaçme vazhdoi me pyetjen e disa dëshmitarëve të thirrur në proces.
Të paktën dy prej dëshmive u kundërshtuan nga SPAK, me pretendimin se dëshmitarët kanë dhënë deklarime të ndryshme gjatë hetimeve paraprake krahasuar me ato të dhëna në gjykatë, lidhur me votat në këmbim të punimeve për energji elektrike dhe mjetet e përdorura në fshatin Stajkë.
Dëshmitari Dod Martini (banor i fshatit Stajkë): “Banoj në fshatin Stajkë. 20 vite kemi qenë pa drita. Është bërë një investim, por unë kam qenë në Itali që nga qershori 2025 dhe jam kthyer tani. Jemi ankuar për dritat para dy vitesh te Kristiani, te bashkia me vëllain Kolën dhe me disa persona të tjerë. Gjatë takimit nuk kemi biseduar për vota as për mbështetje politike.”
SPAK kundërshtoi deklaratën: “Gjatë takimit kryetari na kërkoi mbështetjen për Tom Doshin, pas takimit vendosi shtyllat elektrike”, duke cituar versionin e dhënë më parë nga Martini gjatë hetimeve. Gjykata pranoi kundërshtimin e prokurorisë.
Dëshmitari Frrok Marku (punonjës i OSHEE-së në Vau i Dejës): “Në Stajkë është bërë një remont, na ka njoftuar shefi i ekipit të OSHEE-së. Ka ardhur baza materiale dhe kemi bërë montimin e bazës materiale. Investimi është bërë para zgjedhjeve. Gjithë kohën ajo zonë ka qenë pa drita. Ne kemi punuar me mjetet shtetërore. Di që ka punuar një fadromë. Asnjëherë nuk më ka marrë në telefon Kristian Shkreli për të mbështetur apo për të votuar. Investimi s’ka lidhje me Bashkinë.”
Dëshmitari Antonio Bashaj (elektricist në Vau i Dejës): “Na ka thirr përgjegjësi jonë dhe na ka thënë se do vihen disa shtylla. Baza materiale kanë ardhur nga Shkodra. Automjetet e punës nuk e di nga kanë ardhur. Di që ka qenë edhe një fadromë për hapjen e gropës. Punimet aty janë bërë me urdhër të eprorit dhe jo nga Kristian Shkreli.”
Dëshmitari Izmir Mucaku (ndihmës elektricist në OSHEE Vau i Dejës): “Kemi marrë urdhër nga shefi jonë për të punuar në fshatin Stajkë. Kam punuar vetëm dy ditë. Janë vendosur shtylla betoni dhe tela të rinj. Kanë qenë makinat e OSHEE-së.”
Prokurori kundërshtoi edhe dëshminë e tij, duke pretenduar se ka deklaruar ndryshe sa i përket mjeteve të përdorura gjatë punimeve. Gjykata pranoi kundërshtimin.
Në seancën e radhës, të hënën më 27 prill 2026 ora 13:00, do të dëshmojnë 4 persona të tjerë.
Procesi ndaj Kristian Shkrelit vazhdon në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK e akuzon se ka përdorur investimin për energji elektrike në fshatin Stajkë për të ndikuar në votat e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në favor të Partisë Socialdemokrate./Versus.al

