Sot në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës në ngarkim të grupit të Suel Çelës dhe Bujar Abedinit për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi në Tepelenë në vitin 2021.
Gjatë kësaj seance dëshmoi Ahmet Abedini, vëllai i të akuzuarit nga SPAK për vrasjen e biznesmenit. ai tha para trupit gjykues se ditën kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë në punë dhe më pas ishte nisur për në Gjirokastër pasi kishte shtruar nënën në spital.
“Kam dy dyqane. Një e punoj vetë, një e punonte gruaja,” tha ai duke pranuar se kishte patur konflikte me viktimën. Abedini pretendoi se Selimi i bënte telefonata anonime gruas së tij në çdo orar të ditës apo të natës.
“Kemi pasur konflikte edhe me fjalë dhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit pa pushim. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtëm edhe në gjykatë për këtë punë. Nusja kishte bërë padi,” – dëshmoi ai.
Sipas tij, për rreth 5-6 muaj para ngjarjes, palët kishin arritur një marrëveshje në polici për të shmangur konfliktet. Megjithatë, ai tha se ishin të bindur se telefonatat vazhdonin të bëheshin nga Selimi.
“Bashkëshortes i binte telefoni në çdo orë të ditës, ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej,” deklaroi Abedini.
Lidhur me vëllain e tij, Bujar Abedinin, ai tha se ky i fundit banon në fshat dhe merret me blegtori, duke shtuar se nuk kishte dijeni për telefonatat që i bëheshin bashkëshortes së tij.
“Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por në spital e shoqëroja unë, se ai kishte bagëti, ishte çoban,” u shpreh ai.
Ahmet Abedini tregoi se lajmin për vrasjen e Çajup Selimit e kishte marrë rreth mesnatës.
“Nga ora 12:00 e natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë hajde. I pyeta 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. U thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital,” dëshmoi ai.
Sipas tij, djali Erisjano ndodhej në Tiranë dhe ishte kthyer pas 3-4 ditësh. Ai shtoi se atë natë policia e kishte kërkuar, por më pas kishte komunikuar me të përmes telefonit të nuses.
“Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici,” përfundoi dëshminë ai. Versus.al

