AKTUALITET /

Goditja e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës në Shqipëri, SPAK njoftim zyrtar

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht për megaoperacionin ndërkombëtar të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Gjatë këtij operacioni janë goditur katër grupe kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Shkruar nga Versus

Goditja e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht për megaoperacionin ndërkombëtar të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze.

Gjatë këtij operacioni janë goditur katër grupe kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Si rezultat i ndërhyrjes, autoritetet shqiptare kanë lëshuar 11 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar, një person ndodhet në kërkim, ndërsa një tjetër dyshohet se ka braktisur vendin.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe finlandeze kanë dhënë gjithsej 55 masa sigurie dhe kanë sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike, përfshirë 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe sasi të konsiderueshme tabletash narkotike.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar shtetasit B.S, E.A (alias E.T), A.M, K.Q, T.K (alias T.T), G.S, E.M, L.H dhe D.L. Gjatë kontrollimeve janë sekuestruar gjithashtu 8 automjete, 13 telefona celularë dhe materiale të ndryshme që shërbejnë si prova.

Hetimet zbuluan se gjatë viteve 2022-2024, këto katër grupe të strukturuara kriminale, të krijuara dhe drejtuara kryesisht nga shtetas shqiptarë, trafikonin në Finlandë sasi të mëdha droge si kokainë, amfetaminë, kanabis dhe ekstazi.

Droga vinte kryesisht nga Holanda dhe Spanja, dhe më pas shpërndahej në disa qytete finlandeze përmes një rrjeti të organizuar shpërndarësish, duke siguruar fitime të jashtëligjshme.

Një veçori e këtyre grupeve ishte bashkëpunimi mes tyre dhe në disa raste veprimi për llogari të grupeve të tjera kriminale. Disa prej anëtarëve janë arrestuar dhe dënuar më parë nga gjykatat finlandeze për veprimtaritë e tyre kriminale.

Mes veprimeve të rëndësishme të dokumentuara gjatë periudhës 2022-2024 janë trafikimi dhe shitja e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis dhe sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe shpërndarja masive e tabletave ekstazi në Helsinki dhe qytete të tjera.

Njoftimi i SPAK:

SPAK dhe autoritetet finlandeze godasin rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike. Masa sigurie për 11 shtetas shqiptarë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal nr.147, të regjistruar më 29.06.2023, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283  dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal; si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”,    parashikuar nga pika 1 e nenit 334 të Kodit Penal.

Procedimi penal është regjistruar pas kërkesës për bashkëpunim, e cila është paraqitur më 21.06.2023 nga Qendra e Policisë për Krime të Finlandës dhe policisë së Lounais-Suomi, lidhur me hetimet të zhvilluara për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të rrezikshme në Finlandë, nga grupe të strukturuara kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetas të tjerë finlandezë, europianë dhe aziatikë.

Më datë, 21.11.2023, në kuadër të hetimeve të përbashkëta është krijuar Skuadra e Përbashkët Hetimore, mes Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departmentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departmentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.

Pas krijimit të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë 18 muajve të hetimeve intensive, u përdorën metoda speciale të hetimit si; përgjime të komunikimeve telefonike apo regjistrime të fshehta fotografike, filmike apo video, në vende publike, si edhe janë shkëmbyer në kohë reale informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.

Nga provat e administruara rezulton se:

Gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope. Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.

Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ka qenë bashkëpunimi mes tyre për realizimin e qëllimeve kriminale ose në disa raste, disa anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, vepronin edhe për llogari të grupeve të tjera. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e shkallëve të para të Finlandës për këtë veprimtari kriminale.

Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë:

Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine.

Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.

Masa sigurie dhe arrestime:

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.52, datë 02.06.2025, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.

Më 03.06.2025 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë e mundur zbatimi i masës së sigurisë për 9 persona nën hetim.

B.S, (27.01.1985)
E.A (alias E.T 07.02.1991)
A.M (07.06.1981)
K.Q (14.04.1981;
T.K (alias T.T 15.10.1977)
G.S (05.07.1994;
E.M, (29.05.1983)
L.H, (09.01.1983)
D.L, (07.06.1983)

Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar nç cilësinë e provave materiale:

8 automjete  
13 telefona celularë
Prova shkresore të ndryshme

Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë.Ndihmë të veçantë në hetimin e këtij proçedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës.

Hetimi në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore është mbështetur nga “Rrjeti @ON” i financuar nga Komisioni Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA)./Versus.al

 

Poll