AKTUALITET /

Gropa e madhe e “Bankers” ndaj tatimeve, kinezë e kazakë nxirrnin jashtë Shqipërisë miliarda euro

Paratë që duhet të shkonin për buxhetin e shtetit shqiptar, u kalonin kompanive të huaja në Kinë e Kazakistan.

Shkruar nga Versus

Gropa e madhe e “Bankers” ndaj tatimeve, kinezë e kazakë

Përveç kompanive shqiptare ku kryesisht nëpërmjet studiove ligjore e atyre të këshillimit për biznes Bankers Petroleum rriste shpenzimet duke bërë fatura fiktive, pjesë e skemës së mashtrimit që i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm miliarda lekë, janë edhe kompanitë e regjistruara në Shqipëri si filal nga shtetas të huaj nga Kina dhe Kazakistani.

Shoqëria "Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP"- me kompani mëmë në Kazakistan dhe me pronësi shoqërinë kineze "China International Zoom Material Co Limited me adrese: Richmond Commercial Building, Argyle Street, Yau Tsim Mong. Kowloon, Hong Kong dhe me adresë në Fier. Përfaqësuesi ligjor i saj është shtetasi Jiang Yijun, ndërsa administratori është shtetasi Junlin Sheng.

Gjatë periudhës dhjetor 2023-mars 2024 i vetmi person i punësuar ishte administrator, ndërsa gjatë 2024-ës u shtuan edhe 24 punonjës të tjerë deri në mars të 2025-ës, shumica e të cilëve shtetas kinezë. Administrator ka dalë nga Shqipëria në korrik të 2024-ës dhe nuk është kthyer më.

Gjatë vitit 2024 fitimi neto i kompanisë ka qenë mbi 135 milionë lekë. Faturimi është kryesisht nga Bankers Petroleum. Sipas prokurorisë, janë gjetur anomali dhe transaksione të mëdha që nuk përputhen me shërbimet e ofruara. Dyshohet se bëhet fjalë për transferim fondesh jashtë vendit dhe shmangien e tatimeve si dhe pastrim parash. Madje sistemi TIMS tregon se pjesa më e madhe e këtyre punonjësve nuk kanë qenë fizikisht në Shqipëri për kohën që deklarohen si të punësuar.

Shoqëria "Petrosolution" sh.p.k, me NIPT M12003039K, është regjistruar në Shqipëri më 3 gusht të vitit 2021 me aksioner shtetasin nga Kazakistani Ramil Kimurov me aktivitet ndërmjetësimin për shitjen e karburantit. Më 7 prill të 2023-it kompanisë i është shtuar si ortake “Exa Petroleum PTE LTD” e regjistruar në Singapor më 6 dhjetor të 2018-ës. Regjistrimi i saj është bërë si kompani me zyra virtuale, jo fizike në territor gjë që është jo e zakonshme për kompani që operojnë në industri kapitale si ajo e naftës. Për periudhën 2023-maj 2025 kompania ka faturuar kundrejt Bankers Petroleum shifrën marramendëse prej 1,674,665,440 lekë.

Shoqëria "Alb Talent Solution" sh.p.k, e regjistruar me date 08.04.2021. Aksioner i shoqërisë është shtetasi kazikistanas Dauren Zhamabayev, me administrator shtetasin kinez Tao Huang, që nga data 17.05.2023, me objekt aktiviteti: "Sherbime të këshillimit të biznesit; Trajnime; Hulumtime, sherbime dhe zgjidhje teknike. Zhamabayev është larguar nga Shqipëria më 9 gusht të 2021-it dhe nuk është kthyer më.

Lidhja ndërmjet shoqërisë "Alb Talent Solution" sh.p.k dhe "Bankers Petroleum Albania Ltd" sipas prokurorisë krijon dyshime për ekzistencën e një skeme të mundshme të faturimeve fiktive apo shmangies tatimore. Gjatë periudhës 2022-2025 shoqeria "Alb Talent Solution" ka realizuar mbi 98% të xhiros së saj vetëm me "Bankers Petroleum Albania Ltd", për një shumë totale prej 1,556,227,341 lekësh.

Sipas prokurorisë së Fierit nëpërmjet këtyre kompanive, Bankers Petroleum ka paguar fatura të tejfryra për shërbime që nuk i ka marrë me qëllim transferimin e parave jashtë vendit dhe shmangien e tatimeve që duheshin paguar ndaj shtetit shqiptar. Versus.al

Poll