AKTUALITET /

Dëmi i Bankers për shtetin shqiptar, si pagoi miliarda lekë për studio ligjore që nuk kryenin asnjë shërbim (Lista)

Shkruar nga Versus
Dëmi i Bankers për shtetin shqiptar, si pagoi miliarda lekë
Ish-drejtori Leonidha Çobo dhe CEO aktual Hongping Xiao

Versus.al publikoi dje detaje nga dosja hetimore e prokurorisë së Fierit kundrejt Bankers Petroleum, ku janë arrestuar ish-drejtori i saj Leonidha Çobo, CEO aktual Hongping Xiao dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në analizimin e mëtejshëm të dosjes voluminoze me transaksione të shumta, vihet re se edhe kinezi Xiao ka vijuar me veprimtarinë e paligjshme duke tentuar të përfitojë rimbursimin e TVSH-së në mënyrë të paligjshme duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për kompani edhe për shërbime që ato nuk i kanë kryer. Sipas dosjes, kompania Bankers Petroleum gjatë periudhës 2021-2025 ka kryer pagesa të majme për kompani të tilla si: "Deloitte Albania" shpk. "Studio L.E.A.L Auditing" sh.p.k. "Mirgen Dervishi PF", "Business Corporate Tax Consulting", "PKF Albania" sh.p.k. "Aksent L&BC" sh.p.k.

Hetimet kanë zbuluar se disa prej pagesave janë faturime fiktive për të rritur shpenzimet për kompaninë në mënyrë që fitimi të ulej dhe me këtë metodë “Bankers Petroleum” të mos paguajë tatim mbi fitimin, por të përfitojë nga rimbursimi i TVSH-së.

Pagesat e bëra nga Bankers Petroleum ndaj kompanive:

Shoqëria "Deloitte Albania" sh.p.k gjatë viteve 2021-2025 është paguar në total 26,176,514 lekë

Shoqëria Leal Auditing gjatë të njëjtës periudhë është paguar 15.224.460 lekë. (Për këto dy të parat prokuroria thekson se ka dokumentacionin e plotë për shërbimet e kryera.

Dyshohen për faturime fiktive

“Mirgen Devishi” PF- është paguar 393.180.000 lekë nga Bankers Petroleum. Kompania rezulton të jetë çrregjistruar më 4 prill të këtij viti.

Busines Corporate Tax Consulting- është paguar 60.720.00 gjatë viteve 2023-2024 dhe sipas prokurorisë kjo kompani ka ofruar shërbime të paqarta ndërsa në dhjetor të 2024-ës ka kaluar me status pasiv.

PKF Albania- është paguar me 67.140.00 lekë gjatë viteve 2023-2024. Sipas prokurorisë faturat e lëshuara nga kjo kompani kanë qenë fiktive dhe ka patur mungesë transparence.

Aksent L&BC- është paguar 142.067.629 lekë gjatë periudhës 2023-2024. Prokuroria dyshon se kompania ka aktivitet të dyshimtë dhe se ka fryrë faturat në mënyrë fiktive për Bankers Petroleum.

Sa më sipër, krijohet dyshimi i arsyeshëm se subjektet "Mirgen Dervishi PF", "Business Corporate Tax Consulting" sh.p.k, "PKF Albania" sh.p.k dhe "Aksent L&BC" sh.p.k., kanë zhvilluar një aktivitet që nuk mund të konsiderohet biznes apo shërbim, por një mekanizëm i mirorganizuar për të fabrikuar fatura fiktive, për të krijuar kosto të rreme, për të ulur artificialisht fitimin e deklaruar te shoqëria "Bankers Petroleum Albania Ltd" dhe për të mundësuar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së.

Në mungesë totale të stafit apo dokumentacionit mbështetës, këto kompani kanë marrë pagesa të larta në një kohë të shkurtër dhe janë çrregjistruar menjëherë pas përfitimit të parave, një sjellje tipike për skema mashtrimi dhe devijimin e detyrimeve tatimore për kompaninë Bankers Petroleum. Nëpërmjet këtyre skemave, buxheti i shtetit është dëmtuar rëndë.

Studio ligjore në bashkëpunim me Bankers për fatura jashtë çdo logjike ekonomike

“Besnik Çekreja” PF vetëm gjatë periudhës maj 2020-korrik 2022 ka realizuar një volum faturimesh prej 274.068.070 lekësh vetëm ndaj Bankers Peroleum. Kompania me objekt veprimtarie “aktivitete juridike” rezulton të jetë punonjës vetëm Mariglen Tanushin, një 24 vjeçar i sapodiplomuar. Që në vitin 2022 kjo kompani ka kaluar në status pasiv, duke ngritur dyshimet për bashkëpunim në skemën e faturave fiktive.

"Studio legale Çerekja" sh.p.k., e regjistruar më datë 13.01.2017 objekt të aktivitetit të saj: "Aktivitet ndërmjetësimi në çdo fushë, konsulence fiskale, ligjore, ekonomike, financiare, të teknologjisë dhe informacionit, erj". Kompania rezulton të jetë nën pronësi të bashkëshortes së Besnik Çerekjas. Ky i fundit nëpërmjet kompanisë së mësipërme, kishte një kontratë me Bankers Petroleum që vijoi të zbatohej nga studio e gruas së tij e cila kishte deklaruar 7 punonjës aktivë. Për këtë studio Bankers Petroleum ka paguar shumën prej 162.704.905 lekësh.

Një tjetër rast flagrant është edhe ajo i H&A Law firm që gjatë periudhës 2014-2025 është paguar me 588.876.285 lekësh për shërbim avokatie dhe tarifë suksesi ndërkohë që kishte si staf vetëm 9 punonjës. Në listëpagesë vihet re se në vitin 2017 të ardhurat e kësaj studioje ligjore janë rritur në qindra milionë lekë të reja. Sipas prokurorisë studio nuk disponon dokumentacion përkatës për kontrata specifike.

Edhe për kompaninë Halimi Tax and Law”, sh.p.k e cila kishte në total vetëm 3 punonjës, nga viti 2019 deri në 2025-ës janë bërë faturime deri në 276.223.412 lekë. Bie në sy fakti se kjo studio ligjore kishte klient të vetëm kompaninë “Bankers Petroleum”. Versus.al

Poll