AKTUALITET /

Shqipëria si barcaleta ‘Ha, Merr, Ik’! Si avullonin në pak duar milionat e Bankers, prej 2004-s asnjë lek për shqiptarët

Një nga drejtuesit në vite të kësaj kompanie Leonidha Çobo, i arrestuar për disa akuza si pastrim parash, korrupsion pasiv e fshehje të ardhurash, nga viti 2010-2019 dyshohet se ka dëmtuar interesat finnciare të shtetit shqiptar duke rritur fiktivisht shpenzimet për të ulur fitimet e për pasojë duke i shmangur arkës së përbashkët miliona euro, mashtrim me tvsh, ndërsa faktet në dosje vijojnë në dhjetëra fletë.

Shkruar nga Versus

Shqipëria si barcaleta ‘Ha, Merr, Ik’! Si avullonin në pak

Në fillim të viteve ’90 në Shqipëri qarkullonte një si tip barcalete për mirëqenien në Amerikë nga emigrantët e parë që shkuan duke e përshkruar shtetin e madh sipas emrit: ‘ha, merr, ik’.

E, ndonëse shqiptarët vërshuan drejt shteteve më të zhvilluara për të ngritur jetën e tyre, Amerika 'erdhi' në Shqipëri për disa syresh.

A mund ta imagjinojë një shqiptar mesatar, apo mbi mesataren, apo dhe ata të shkolluarit shkëlqyeshëm në profesionet e tyre, me karrierë brilliante më pas, se në çdo lloj sektori të ekonomisë në Shqipëri mund të marrë 5.8 miliardë lekë rrogë në 7 vite dhe miliona euro të tjerë shpërblime dhe dhjetëra milionë të tjerë nëpërmjet faturimeve fiktive, tendera pa garë për vëllain me kompani ‘fantazmë’?!

Me siguri e keni dëgjuar dhe barcaletën tjetër të doganierit shqiptar që në fund të muajit kur i thanë shko merr rrogën pyeti: Pse dhe rrogë merret këtu?!

Por në fakt te Bankers drejtuesit, të cilët u ndërruan me rradhë morën dhe paga çmendurake, përveç atyre që një doganier në fakt nuk do ti shihte kurrë, as në ëndërr.

Dosja ‘Bankers’, të cilën versus.al e ka shqyrtuar, pasqyron tragjedinë më të madhe financiare në vend (gjithmonë sipas dyshimeve të prokurorisë Fier), tragjedi e luajtur me disa akte ku në fakt nuk vdesin personazhet kryesore, por Ne, spektatorët e përjetshëm.

Një nga drejtuesit në vite të kësaj kompanie Leonidha Çobo, i arrestuar për disa akuza si pastrim parash, korrupsion pasiv e fshehje të ardhurash, nga viti 2010-2019 dyshohet se ka dëmtuar interesat finnciare të shtetit shqiptar duke rritur fiktivisht shpenzimet për të ulur fitimet e për pasojë duke i shmangur arkës së përbashkët miliona euro, mashtrim me tvsh, ndërsa faktet në dosje vijojnë në dhjetëra fletë.

Sipas organit të akuzës, Çobo nuk i ka nxjerrë duart nga paratë e kompanisë dhe pas largimit të tij si drejtor. Pra: ‘Ha, merr, ik’. Ndoshta dhe më mirë se në Amerikë sepse nuk ka ikur prej vërteti…

Radhën e kanë kinezët

Tani radhën e kanë kinezët, sigurisht. Skema është e shtruar nga paraardhësit: Kompania sërish me humbje, tenderët vijojnë, faturimet fiktive po ashtu, bashkë me to dhe pagat dhe shpërblimet e majme.

Sipas dosjes, gjatë bisedave të transkriptuara mes Majlinda Thanës, drejtoreshë e Thesarit pranë shoqërisë “Bankers Petreolum Albania LTD’ dhe një punonjëseje të zyrës së financës në këtë shoqëri vihet re se kjo e fundit përdor disa llogari në Austri për të kryer pagesa selektive, llogari të cilat nuk janë raportuar në organet tatimore, çka rrjedhimisht nuk i bën objekt bllokimi apo sekuestrimi  të vendimeve gjyqësore dhe administrative.

Sipas prokurorisë Fier, në vendimarrjet e shoqërisë një rol shumë të rëndësishëm ka dhe personi nën hetim Hongping Xiao (administrator), i cili vepron me dashje të drejtpërdrejtë duke mos përmbushur detyrimeve ligjore sipas legjislacionit në Republikën e Shqipërisë, duke mos kryer raportimet e lëvizjeve bankare, llogarive bankare jashtë territorit të vendit tonë, duke pamundësuar ekzekutimet e vendimeve gjyqësore apo të organeve administrative, etj.

Po ashtu, edhe gjatë periudhave të fundit, pra gjatë viteve 2024-2025, kohë kur administrator Xiao mban detyrat më të rëndësishme në shoqërinë "Bankers Petroleum Albania Ltd", sërish kjo shoqëri në raportim vjetor të saj rezulton me humbje, duke krijuar pamundësi që shteti shqiptar të sigurojë fitim nga gjithë ky aktivitet që lidhet me shfrytëzimin e një burimi shumë të rëndësishëm siç është nafta dhe nënproduktet e saj. Mungesa e fitimeve vijon që nga viti 2004, ndërsa prokuroria raporton dhe për dëmtim të banorëve dhe prona të tyre në zonën e Patoz-Marinzës në Qarkun e Fierit.

Gjithashtu prokuroria thekson se:

Shtetasi Hongping Xiao me pozicionin e tij drejtues në shoqërinë "Bankers Petroleum Albania Ltd" përgjatë kësaj periudhe rezulton edhe se:

Nuk ka kontribuar, por ka shtuar detyrimet që ka shoqëria "Bankers Petroleum Albania Ltd" ndaj shoqërisë "Albpetrol" sh.a; Nuk ka bërë asnjë përpjekje për të diskutuar në mënyrë konstruktive me AKBN-në në lidhje me fillimin e implementimit e zbatimit të vendimit të Arbitrazhit:

Nuk ka bërë asnjë përpjekje që të paraqesë plane mbi abandonimin, pasi ka kaluar 1 (një) vit nga detyrimi që kishte shoqëria "Bankers Petroleum Albania Ltd" të kishte depozituar një sasi të konsiderueshme parash që bëjnë të mundur këtë proces e fazë të rëndësishme të kontratës:

Paraqet dokumentacione pranë QKB-së, në emër të shoqërive "Bankers Petroleum Albania Ltd " dhe "Sherwood Internacional Ltd", të cilat nuk janë në përputhje me ligjin shqiptar në kuadër të deklarimit të pronarit përfitues, etj;

Pērkundrazi, personi nën hetim Hongping Xiao dyshohet se po bën çdo përpjekje në pozicion drejtues të kompanisë të krijojë pengesa për proceset e mësipërme, duke tentuar përfitojë TVSH-në nëpërmejt skemave mashtruese, të vijojë kryerjen e punimeve me fatuara fiktive apo të ekzegjeruara, duke favorizuar persona apo subjekte të ndryshëm, duke rritur në mënyrë fiktive shpezimet, etj. Nga veprimet hetimore të organit procedues ka rezultuar se, janë evidentuar disa raste nga shumë prej atyre që janë prezent te aktiviteti i shoqërisë "Bankers Petroleum Albania Ltd" ndër vite, në të cilat dyshohet krijimi i skemave mashtruese me TVSH-në, përpilimi i faturave fiktive, shtimi artificial i shpenzimeve, etj.

Prej 21 vitesh vazhdon ky cirk milionash me pasuritë e shqiptarëve, duke qarkulluar në pak duar. Qindra mijëra shqiptarë ikën larg Shqipërisë duke mos e kuptuar që Amerika e vërtetë ishte këtu, të paktën për disa./ Versus.al

Poll