Dosja e SPAK e zbardhur nga Versus.al për grupin e dyshuar të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash ka nxjerr në pah detaje të reja mbi takimet e zhvilluara në Aruba dhe Majorka të Spanjës, ku sipas hetimeve janë diskutuar investime në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimi i disa pronave me vlerë të lartë në Tiranë, mes tyre edhe trualli i njohur si “Shkolla e Biçikletave”, pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.
Sipas materialeve hetimore, Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti rezultojnë të kenë kryer një sërë veprimesh juridike dhe noteriale që kishin si qëllim zhvillimin e pronës dhe sigurimin e lejeve të ndërtimit.
SPAK dyshon se janë përdorur kontrata dhurimi, transferime të njëpasnjëshme të pasurive dhe persona të tretë për të fshehur pronësinë reale dhe origjinën e fondeve të investuara.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit mbështetet në informacionet e ardhura nga autoritetet belge dhe spanjolle, të cilat kanë dokumentuar takime mes personave nën hetim në Aruba dhe Majorka.
Sipas SPAK, gjatë këtyre takimeve janë diskutuar çështje që lidhen me investime në prona strategjike dhe me mundësinë e sigurimit të lejeve të ndërtimit në Shqipëri.
Në dosje përmenden gjithashtu komunikime që flasin për kontakte me funksionarë të lartë shtetërorë, megjithëse identiteti i tyre nuk bëhet publik.
Nga përgjimet e administruara në kuadër të hetimit rezulton se personat nën hetim kishin interes të veçantë për truallin pranë Arenës Kombëtare, i konsideruar si një nga asetet më të vlefshme për zhvillim ndërtimor në kryeqytet.
Sipas SPAK, nxjerrja e lejes së ndërtimit është penguar nga sekuestrimi i një pjese të pronës dhe procedura të tjera ligjore, por përpjekjet për zhvillimin e saj kanë vijuar.
Në komunikimet e siguruara nga platforma SkyECC përmenden diskutime mbi investimet në këtë zonë, ndërsa persona të ndryshëm orientonin blerjen e sipërfaqeve nga bashkëpronarët e truallit me bindjen se në të ardhmen aty do të zhvillohej një projekt ndërtimi.
Dosja përmban edhe një bisedë të zhvilluar më 15 gusht 2022 mes Xhon Ramës dhe nënës së tij, Myzejen Rama.
Në komunikim, Xhon Rama shprehet se investitori kryesor i projektit ishte një person i quajtur “Eldi”, për të cilin thotë se deri në atë moment kishte investuar rreth 4 milionë euro në pronën në fjalë.
Pjesë nga dosja e SPAK:
"Domethënë mami, i gjithë investitori është Eldi..."
"Ka hedh 4 milionë euro deri tashi..."
Sipas SPAK, veprimet e dokumentuara tregojnë përpjekje për të fshehur origjinën e fondeve dhe lidhjen reale të personave nën hetim me pronën, përmes transferimeve të njëpasnjëshme dhe përdorimit të personave të tretë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të investimit të të ardhurave kriminale në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme./Versus.al


