AKTUALITET /

“Osmani” me tokë dhe në Nartë, përfitues si “investitor strategjik”! Tre javë më parë kryeministri premtoi shfuqizimin e ligjit

Shkruar nga Versus
“Osmani” me tokë dhe në Nartë, përfitues si
Aktori turk Burak Ozviçit, imazhi kryesor i kompanisë 'Rams Global' që do zhvillojë projektin

Në kushtet kur vendi ndodhet në kulmin e debateve dhe protestave përsa i takon projekteve të përfituara nga persona apo kompani me statusin e ‘Investitorit strategjik’, një tjetër vendim i qeverisë në këtë fushë ka ngjallur sërish reagime të qytetarëve.

Bëhet fjalë për 88.5 hektarë tokë shtetërore që i është dhënë falas kompanisë ‘Rams Albania’ me pronar, turkun Mehmet Faruk Burbul dhe imazh kryesor aktorin Burak Ozviçit të njohur për publikun shqiptar nga seriali ‘Osmani’.

Projekti “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone” synon të krijojë një zonë të lirë ekonomike me një investim prej 100 milionë dollarësh dhe pritshmëri për punësimin e 10 mijë personave.

Megjithatë, ajo çfarë ka tërhequr vëmendje janë dy zonat kadastrale ku pritet të zhvillohet projekti. Mes tyre është edhe zona 2765 e cila korrespondon me Nartën. Toka nuk është zonë e mbrojtur. Por kjo gjë pritet të ngjallë më tepër diskutime duke patur parasysh se çfarë po ndodh me protestat e qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit dhe veprimet e SPAK për të hetuar konfliktet me pronat në atë zonë ku dyshohet se ka patur shumë tjetërsime. Për këtë çështje po hetohet Artur Shehu ndaj të cilit u lëshua urdhër-arresti ndërkombëtar pasi dyshohet si i përfshirë në pastrim parash.

“Osmani” me tokë dhe në Nartë, përfitues si

Investitorët strategjikë dhe plani i Ramës për shfuqizimin e ligjit

Në fillim të qershorit të këtij viti, pas protestave masive të qytetarëve, kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohej me arsyetimin se nuk kishte më asnjë funksion duke qenë se investitorët e mëdhenj sipas tij po vijnë në vend pa dashur t’ja dinë për lehtësira.

“Tashmë nuk na duhet më një ligj për investime strategjike sepse kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë dhe në fakt nuk duan t'ja dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur e kështu me radhë, por nuk kemi probleme me këtë. Kam përshtypjen që është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë tashmë për një ligj të ri për investimet kështu që po punojmë me Bashkimin Evropian për këtë”, deklaroi Rama duke iu përgjigjur një prej gazetarëve të huaj gjatë një konference shtypi në kryeministri.

Megjithatë, më datë 30 qershor qeveria ka miratuar vendimin për zhvillimin e projektit të kompanisë turke e cila mori statusin e investitorit strategjik më 11 shkurt të këtij viti. Me këtë veprim, kryeministri lë paqartësi dhe dilemë sesi do të veprohet konkretisht me këtë ligj. Duket sikur deri në hartimin e këtij kuadri të ri ligjor mbeten hapësira për të vijuar me dhënie të hapësirave të mëdha të tokës bazuar në ligjin ekzistues për investimet strategjike.

Detajet dhe sfidat projektit

Në zonat e përcaktuara do të zhvillohet një ekosistem industrial, logjistik dhe teknologjik duke synuar ndërthurjen e prodhimit industrial me teknologjitë e avancuara përfshirë automatizimin dhe inteligjencën artificiale. Gjithashtu përpunim i lehtë i metaleve dhe energjisë së rinovueshme. Kompania do të veprojë si zhvilluese e zonës duke ndërtuar infrastrukturën bazë dhe më pas do të japë me qira hapësirat për biznese të ndryshme që do të operojnë brenda saj. Statusi strategjik i ka dhënë kompanisë disa lehtësira me leje të përshpejtuara për automatizime, asistencë institucionale dhe vënien në dispozicion të pasurive shtetërore për zhvillimin e projektit. Njëkohësisht projekti zhvillohet me sfida administrative dhe ligjore sa i takon konsolidimit të pronësisë së tokës. Versus.al

Poll