
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të mërkurën vendimin për deklarimin të pafajshme të kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila argumentoi se gjatë gjykimit nuk ishte provuar se kryebashkiakja Bufi kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Vendimi i Gjykatës rrëzoi pretendimin e SPAK, i cili kërkoi dënimin e Bufit me 1 vit e gjashtë muaj burgim. SPAK deklaroi për BIRN se do të ushtrojë ankim kundër vendimit të pafajësisë.
SPAK-u e akuzon Majlinda Bufin se ka përdorur pushtetin që i jepte detyra për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023. Prokuroria e Posaçme iu referua publikimit në media të një audio regjistrimi për të filluar hetimin.
Transkripti i këtij regjistrimi tregon se kryebashkiakja Majlinda Bufi ështe revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues nga një program social i Bashkisë Roskovec, që kishte si objekt përmirësimin e kushteve të banimit për familjet e varfëra e të pafavorizuara, të miratuar nga këshilli kësaj njësie vendore një vit para zgjedheve vendore të 2023-it.
Nga hetimi ka rezultuar se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, përpara zgjedhjeve të atëhershme, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.
Më pas, sipas SPAK, shtetasi G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e bashkisë me Bufin, ku atij i është ushtruar presion duke iu përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje. Prokuroria konstaton se, ndër të tjera, në këtë takim e pandehura i ka përmendur faktin se ai kishte dërguar mesazhe ku flitej për fitore të kandidatit të opozitës.
Sipas prokurorisë, e pandehura Bufi, me pretendimin për të shmanur shtetasin G.B. nga kjo situatë paligjshmërie në të cilën pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar që të mos merrte pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, si dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
Bufi u rikonfirmua si kryetare e Bashkisë Roskovec në ato zgjedhje vendore si kandidate e Partisë Socialiste.
Bufi, e cila drejton bashkinë e Roskovecit prej vitit 2015, ka këmbëngulur se është e pafajshme. Në deklaratat e saj në SPAK, kryebashkiakja shpjegoi se ngjarja ka ndodhur shumë më herët sesa zgjedhjet e 14 majit dhe se nuk bëhet fjalë për kërcënim.
Më herët këtë vit, Edison Memolla, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, një tjetër kryebashkiak i shumicës socialiste, u gjet fajtor në Apel për korrupsion zgjedhor dhe u dënua me 1 vit burg.Versus.al

