Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Mexhit Picarit, të shpallur fajtor për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjykuese.
Për rigjykim do të kalojë edhe vajza e tij, Dhurata Saliaj, e cila ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burg si bashkëpunëtore në krim.
Ngjarja ndodhi më 4 qershor 2021, në verandën e një lokali pranë Gjykatës së Tiranës. Sipas akuzës, Mexhit Picari qëlloi me armë zjarri në drejtim të Kudret Saliajt, me të cilin vajza e tij ishte në proces divorci.
Si pasojë e të shtënave, Kudret Saliaj mbeti i vrarë, ndërsa u plagos edhe avokati i tij, Adriatik Cami, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë.
Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk e shpall të pafajshëm Mexhit Picarin, por i hap rrugën një shqyrtimi të ri të çështjes në Apel, ku dosja do të vlerësohet nga një trupë e re gjyqësore.Versus.al

