
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka pritur këtë të martë një delegacion të Parlamentit Europian, i përbërë nga eurodeputetët Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të cilët ndodhen në Shqipëri për t’u informuar mbi situatën e projektit të mundshëm në zonën e Nartë-Zvërnecit.
Gjatë takimit, ministri sqaroi se deri më tani nuk është depozituar asnjë projekt-propozim përfundimtar pranë institucioneve përgjegjëse dhe se nuk ka nisur asnjë aktivitet ndërtimor, pasi nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi.
Jaupaj garantoi eurodeputetët se çdo projekt që mund të paraqitet në të ardhmen do të trajtohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian. Ai theksoi se projekti do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Plotë të Ndikimit në Mjedis (VNM), me transparencë të plotë, konsultim publik dhe përfshirjen e institucioneve përgjegjëse.
Sipas ministrit, çdo vendimmarrje do të mbështetet në ekspertizë shkencore dhe në respektimin rigoroz të ligjit, ndërsa mbrojtja e biodiversitetit, habitateve natyrore, specieve të mbrojtura dhe integritetit ekologjik të zonës së Nartë-Zvërnecit mbetet prioritet i panegociueshëm.
Në takim, Jaupaj ritheksoi edhe angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar se vendi po vijon harmonizimin e legjislacionit mjedisor me atë të Bashkimit Europian në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për Kapitullin 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”.
Ai siguroi delegacionin e Parlamentit Europian se institucionet shqiptare do të vijojnë të veprojnë me transparencë, përgjegjësi institucionale dhe në përputhje me të gjitha standardet europiane, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.Versus.al

