
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Çështja është kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi nr. 57, datë 25 maj 2026, është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Veliajt, i cili kishte kundërshtuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, lidhur me masën e sigurisë ndaj tij.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka kryer një kontroll të plotë dhe efektiv kushtetues mbi vendimin që caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas Kushtetueses, gjykata nuk ka analizuar në mënyrë të mjaftueshme proporcionalitetin e masës në raport me funksionin publik të të zgjedhurit, nuk ka shqyrtuar si duhet alternativat ndaj paraburgimit dhe nuk ka vlerësuar ndikimin e masës së sigurisë mbi ushtrimin e mandatit të fituar përmes zgjedhjeve.
Për këto arsye, Kushtetuesja vendosi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim të ri, duke kërkuar që gjykimi të bëhet në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara në vendim.Versus.al

