
Kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi këtë të mërkurë të lërë në detyrë kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdarin, duke argumentuar se ai nuk ndodhet në kushtet ligjore për t’iu hequr mandati.
Në vendimin e tij, Celibashi u shpreh se KQZ ka rishqyrtuar çështjen sipas udhëzimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke administruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, si edhe vendimet e institucioneve që janë shprehur më herët për këtë rast.
Sipas tij, ndonëse Hajdari është dënuar për fshehjen e një dënimi në Greqi në formularin e dekriminalizimit, zbatimi i nenit 63 të Kodit Penal, që parashikon shlyerjen e dënimit me punë në komunitet, bën që ai të mos konsiderohet në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit.
“Nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë. Një gjë e paqenë është zero, është bashkësi boshe. Përtej diskutimit që mund të bëhet për moralin, fakti ligjor mbetet ky: ky subjekt nuk është në kushtet e ndalimit”, deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se ky interpretim është në përputhje edhe me qëndrimet e mëparshme të KAS-it dhe Kolegjit Zgjedhor në një rast të ngjashëm, atë të Mallakastrës.
Kreshnik Hajdari mban detyrën e kryebashkiakut të Kuçovës prej dy vitesh. Ai u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në korrik 2024 për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, pasi kishte fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi. Megjithatë, sipas vendimit të KQZ-së, ky dënim nuk përbën shkak ligjor për ndërprerjen e mandatit të tij si kryebashkiak.Versus.al

