
Detaje të frikshme nga papargjegjshmëria në trajtimin e pacientëve të sëmurë me kancer, janë publikuar së fundmi nga gazetari Osman Stafa. Në videon e publikuar ku lexon komunikimet mes mjekëve onkologë, vihet në dukje sasia e madhe e ilaçeve që mungojnë për 1 muaj radhazi nga gushti deri në shtator të 2022-it, duke lënë kështu të sëmurët me kancer pa kimioterapi.
Në mesazhet e shkëmbyera, mjekët shkojnë deri në pikën sa të kërkojnë që pacientët të njoftohen se nuk kanë ilaçe të tilla në dispozicion dhe se do të njoftohen në një moment të dytë.
A.R (kryeinfermier): Mirëmëngjes, vazhdojnë të mungojnë ilaçet: Rituximab, Epirubicinë, Avastinë, Cisplastinë, Ifosfamid, Ondansentron, Bleomicine. Carboplatina mbaroi nuk ka më gjendje farmacia. S’kemi parë gjë akoma!
Mesazhet për informimin e mungesave të barnave të ilaçeve vijojnë ndërsa ka edhe reagime nga mjekët e tjerë onkologë.
A.P (mjek onkolog): Unë them ta mbyllim
E.C (mjek onkolog): më mirë nga shkruani ato që ka se janë më pak
Bisedat kanë vijuar deri në muajin shtator, kur ende në komunikimin e kryeinfermierit renditen 10 ilaçe që mungojnë të cilat janë të domosdoshme për kimioterapinë e pacientëve të diagnostifikuar me kancer. Të përballur me këtë mungesë të frikshme ilaçesh, mjekët kërkojnë që pacientët të njoftohen për të ardhur në një moment të dytë edhe pse kimioterapia duhet bërë sipas protokollit dhe nuk njeh afat alternativ.
A.P (mjek onkolog): Merrini në cel pacientët e herceptinës dhe thojini që do njoftohen në një moment të dytë. Sinjalizo dhe Alketën admin që të rikalkulojë pacientët.
A.p (kryeinfermieri): E kam njoftuar
A.P (mjek onkolog): Edhe pacientët që të shmangni njerëzit dhe ankesat
A.P (Retuximab dhe Erceptinë, nesër sulm se do ketë në farmaci
Në përfundim të leximit të komunikimeve mes mjekëve të Onkologjikut, gazetari Osman Stafa shprehet gjithashtu se drejtoresha e Onkologjikut, Silvana Çeliku po u kërkon mjekëve që të mos shqetësohen për komunikimet e publikuara me idenë se askush nuk do të cënohet.
“Shefja e Onkologjikut, Silvana Çeliku, e cila këto kohë u kërkon mjekëve onkologë të mos shqetësohen nga komunikimet që po nxjerr, madje u kërkon që edhe të mos i lexojnë, mendon se kjo do të mbyllet me kaq? Deklaratat e saj, se nga kjo askush nuk do të cënohet, më krijon bindjen që Shefja e Onkologjikut, është qartazi pjesë e përgjegjësisë së vrasjeve në Onkologjik. Ajo dhe kushdo tjetër me përgjegjësi do përballet me drejtësinë”- shkruan gazetari në përfundim të denoncimit të radhës mbi skandalin e Onkologjikut të bërë publik në muajin qershor të këtij viti. Versus.al







