
Gjyqi për aksidentin e rëndë hekurudhor në Tempi, ku humbën jetën 57 persona, mes tyre edhe 6 shtetas shqiptarë, nis nesër në Larisa.
Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e 28 shkurtit 2023, rreth orës 23:18, kur treni i pasagjerëve Intercity 62 në linjën Athinë–Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtimin e kundërt. Si pasojë humbën jetën 57 persona, shumica të rinj nga 15 deri në 25 vjeç, ndërsa qindra të tjerë u plagosën, të paktën 32 prej tyre rëndë.
Në Gjykatën Penale të Apelit në Larisa janë gjithsej 36 të pandehur dhe mbi 352 dëshmitarë, ndërsa rreth 230 persona dhe institucione pritet të mbështesin akuzat, përfshirë familjarë viktimash, të mbijetuar dhe sindikata.

Shumica e të pandehurve, 33 persona, akuzohen për ndërhyrje të rrezikshme në transportin hekurudhor që çoi në vdekjen e shumë personave, plagosje të rënda dhe dëmtime të mëdha në infrastrukturë. Kjo vepër penale mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm. Ata përballen gjithashtu me akuza për vrasje nga pakujdesia dhe plagosje nga pakujdesia në seri.
Të pandehurit përfshijnë drejtues dhe punonjës të organizatave hekurudhore greke si OSE, ERGOSE dhe Hellenic Train, si dhe zyrtarë të autoriteteve mbikëqyrëse të transportit.
Sipas hetimit që zgjati rreth 2.5 vite, aksidenti ndodhi pasi shefi i stacionit në Larisa dërgoi gabimisht trenin e pasagjerëve në linjën e gabuar, duke shkaktuar përplasjen ballë për ballë me trenin e mallrave. Hetimet zbuluan gjithashtu probleme serioze me sinjalistikën, telekomandën dhe sistemet e sigurisë në rrjetin hekurudhor.
Një nga çështjet kryesore të hetimit ishte edhe mosrealizimi i kontratës për modernizimin e sistemit të sinjalizimit dhe telekomandës në linjën Athinë–Selanik, që konsiderohet një nga arsyet kryesore të tragjedisë.
Gjyqi pritet të jetë një nga proceset më të mëdha gjyqësore në Greqi, ndërsa për familjarët e viktimave ai konsiderohet një proces për drejtësi pas një prej tragjedive më të rënda hekurudhore në vend. /VERSUS

