
Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për dy personat e akuzuar si autorë të atentatit ndaj Edmond Papës, i ekzekutuar më 16 dhjetor 2022 në zonën e Selitës. Organi i akuzës kërkon 30 vite burg për Andrew Boden, i identifikuar si ekzekutori i atentatit dhe 25 vite për Alban Velon, i akuzuar për bashkëpunim në vrasje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Fadil Bodinaku”, ku autorët qëlluan nëntë herë drejt biznesmenit, duke i shkaktuar plagë fatale. Papa humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetimeve, atentati ka pasur motiv hakmarrjen, ndërsa identifikimi i autorëve dhe zbardhja e dinamikës ndodhi pak javë pas krimit. Të dy të pandehurit pritet të përballen me një vendim të rëndë, me Prokurorinë që kërkon vuajtjen e dënimit në burg të sigurisë së lartë.
Edmond Papa rezultonte me precedent penal në Greqi për trafik droge, si dhe i skeduar në Britani të Madhe. Në Shqipëri ishte pronar i hotelit “Blue Sky” në Sarandë.
Çështja është ende në shqyrtim gjyqësor. Versus.al







