Thimjo Rubati, 50 vjeç, mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes pas një atentati me armë zjarri në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë biznesit të tij, një parkim automjetesh.
Sipas të dhënave paraprake, dy autorë të maskuar me skafandra, të cilët lëviznin me motor, iu afruan nga rruga "Mit'hat Hoxha", në drejtim të portit, dhe sapo konstatuan Rubatin, hapën zjarr me një pistoletë 9 mm. Ata qëlluan nëntë herë, duke e goditur 50-vjeçarin me tre plumba.
Pas sulmit, Rubati u transportua fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas në një spital në Janinë.
Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, ai ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorët.
Pas atentatit, autorët u larguan në drejtim të zonës "Baba Rexhepi". Hetuesit dyshojnë se më pas janë larguar me skaf nga bregdeti. Gjatë kontrolleve, policia gjeti një motor të braktisur buzë detit, në zonën e njohur si "Kasollja", i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandri Rubati, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe greke.
Ai ka precedentë penalë që datojnë prej më shumë se dy dekadash, përfshirë dënime dhe procedime për trafikim të të miturve, përdhunim, rrëmbim të një të miture, armëmbajtje pa leje, kontrabandë, trafikim të emigrantëve të paligjshëm dhe trafikim automjetesh.
Hetimet janë përqendruar kryesisht te e kaluara e tij kriminale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që atentati të lidhet edhe me ndonjë konflikt më të fundit. Deri tani autorët nuk janë identifikuar./Versus.al

