Janë zbardhur dëshmitë e disa punonjëseve të Postës Shqiptare, pas skandalit për të cilin Gjykata e Durrësit la sot në burg Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, dhe caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, ose mbi 700 mijë euro.
Në dëshminë e saj, shefja e Financës, Valbona Duni, shpjegon se transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ka qenë praktikë e zakonshme prej vitesh.
Duni thotë se:
"Në janar-shkurt 2026 Drejtoria e Përgjithshme i kaloi rreth 22 milionë lekë Drejtorisë së Durrësit për efekt likuidimi. Për periudhën prill-maj 2026 janë kryer mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, ndërsa për degën e Krujës rreth 10 milionë lekë dhe 3 milionë lekë. Të gjitha këto shuma janë dërguar drejt degëve Shijak dhe Krujë nga drejtoresha Elizabeta Mataj".
Sipas saj, drejtoresha Elisabeta Mataj i ka thënë se sporteli "Nazeri" kishte tejkaluar limitin e rrugëve të parashikuara. Për këtë arsye, sipas Dunit, transporti i parave është bërë nga vetë drejtoresha, me urdhër verbal.
Më tej ajo deklaron se: "Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe bënte numërimin e lekëve."
Sipas shefes së Financës, në disa raste Mataj i ka futur paratë në çantën personale dhe është larguar menjëherë nga institucioni.
Në fillim të qershorit 2026, pas problemeve me likuidimin në ASHK, Duni deklaron se konstatoi në sistem se disa mandate ishin prerë pa dijeninë e saj dhe njoftoi drejtoreshën.
Më tej, Valbona Duni pretendon se: "Për disa mandate pagesash nënshkrimet e mia dhe të arkëtareve të tjera nuk ishin autentike", duke përmendur konkretisht mandatet e datave 7.5.2026, 12.5.2026 dhe 21.5.2026, të cilat, sipas saj, "kishin mbetur pa firmën e drejtoreshës."/Versus.al

