
Një nga pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar këtë të shtunë ndau historinë e tij personale, duke ngritur akuza ndaj qeverisë për gjendjen e sistemit shëndetësor, veçanërisht të Spitalit Onkologjik.
Ai deklaroi se djali i tij i vetëm ndërroi jetë rreth 50 ditë më parë si pasojë e një sëmundjeje kancerogjene, ndërsa pretendoi se mungesa e pajisjeve të nevojshme në Onkologjik ndikoi në trajtimin e pacientëve.
Gjatë fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje familjarëve të personave që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene t'i bashkohen protestës, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e shërbimeve shëndetësore.
Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të fondeve publike dhe pretendoi se nuk janë bërë investimet e nevojshme për pajisje si PET-skanneri dhe për rikthimin në funksion të aparaturave të radiokirurgjisë në Spitalin Onkologjik.
Në fund të fjalës së tij, qytetari u bëri thirrje protestuesve të vazhdojnë reagimin kundër qeverisë, duke shprehur pakënaqësinë e tij për situatën në vend.
''Dua të them dy fjalë për shëndetësinë, sidomos te pjesa e spitalit onkologjik.
U bëj thirrje të gjithë familjarëve që kanë të afërt me sëmundje kanceroze të dalin në këtë shesh, se nesër do të jetë vonë, për arsye që do t'jua them tani.
Mua para 50 ditësh më ka lënë djali i vetëm nga sëmundjet kanceroze. Për arsye, pse? Se këta gjatë viteve kanë vjedhur 4.2 milionë euro për një koncesion që nuk e njeh askush dhe nuk blenë një PET skaner për onkologjikun.
Dhe për t'i thënë ministres, për propagandën që bën, ka qenë në 2021-shin që radiokirurgjia e spitalit nuk punon, është jashtë funksionit dhe sa lekë kërkon ajo pajisje të bëhet, e të tjera e të tjera.
Prandaj vëllezër e motra, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në këtë shesh, ta shporrim këtë klikë të poshtër!
Pse? Se unë në '97 kam qenë 17 vjeç, në ëndërr ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, dhe sot jam kandidat të bëhem gjysh dhe ku jemi? Ku jemi? Njerëzit hanë bukë me listë e të gjitha.
U bëj thirrje të gjithë njerëzve në këtë shesh, po kanë akoma gjak shqiptari, i lini patronazhistat të bëjnë punën e tyre. Ju faleminderit!’, u shpreh qytetari në protestë.

