
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në zonën e Zvërnecit, pranë daljes së Dalanit, në Vlorë.
Viktimë e aksidentit ka mbetur gazetari 40-vjeçar, Enrik Mehmeti.
Sipas informacioneve paraprake, ai po udhëtonte me një motomjet me katër rrota, kur për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, humbi kontrollin e mjetit, i cili u përmbys.
Si pasojë e aksidentit, Mehmeti pësoi dëmtime të rënda.
Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Burime paraprake bëjnë me dije se 40-vjeçari kishte marrë dëmtime të rënda, ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.

