
Mëngjesin e kësaj të mërkure, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në bashkëpunim me efektivë të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë një ndërhyrje në zonën e Drimadhes, një prej destinacioneve më të frekuentuara të bregdetit jonian.
Qëllimi i veprimit ka qenë prishja e një objekti të jashtëm të kompleksit “Amber Beach”, në pronësi të biznesmenit Helidon Gjikoka, i cili rezulton në kundërshtim me lejen e ndërtimit.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se autoritetet kanë vendosur perimetër sigurie rreth ambientit, ndërsa fadromat e IKMT-së do të kryejnë prishjen e kontrolluar të pjesës së jashtme të kompleksit pranë zonës së plazhit.

Ndërhyrja bëhet në kuadër të aksionit të qeverisë kundër ndërtimeve të paligjshme në zonat bregdetare, me qëllim ruajtjen e ligjit dhe rregullave të planifikimit urban.
Helidon Gjikoka është një emër i njohur në jug të vendit, me precedentë denoncimesh dhe hetimesh për dyshime për grabitje tokash, presione mbi familjarët dhe falsifikim dokumentesh.
Edhe pse pronari është njoftuar paraprakisht mbi ndërhyrjen, zbatimi i ligjit vijon pa ndërprerje, duke garantuar kontroll të plotë mbi territorin dhe sigurinë e zonës.
Sipas IKMT-së, ky veprim është pjesë e strategjisë për të frenuar ndërtime të paligjshme në vijën bregdetare dhe për të siguruar që zhvillimi i zonave turistike të kryhet sipas standardeve ligjore dhe urbanistike.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ekipet e IKMT-së dhe policisë duke koordinuar operacionin dhe fadromat në veprim, ndërsa ambienti jashtë kompleksit “Amber Beach” do të prishët në mënyrë të kontrolluar, pa rrezikuar pjesën tjetër të pronës./Versus.al







