
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër goditje ndaj tregtisë së paligjshme të armëve. Komisariati Nr. 4 zhvilloi operacionin e koduar “Tuneli”, që çoi në pranga Ardit Doçi 22-vjeç nga Burreli, i cili u kap në flagrancë teksa transportonte armë zjarri drejt kryeqytetit.
22 vjeçari po lëvizte me automjetin e tij në tunelin e Murrizit, kur u ndalua nga forcat e rendit. Gjatë kontrollit, në bagazhin e makinës u gjetën të fshehura dy armë zjarri kallashnikov dhe katër krehra municionesh, të cilat dyshohet se do të përfundonin në duart e grupeve kriminale në Tiranë.
Burime hetimore thanë se 22-vjeçari nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një zinxhiri më të gjerë trafiku armësh. Hetimet po vijojnë për të dokumentuar të plotë aktivitetin e tij dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët që mund të jenë përfshirë në këtë skemë furnizimi.
Përveç armëve, policia sekuestroi edhe automjetin dhe telefonin e të riut, që pritet të hedhin dritë mbi rrjetin e komunikimit dhe kontaktet e tij.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë, ku A. D. do të përballet me akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, një vepër që parashikon dënime të ashpra.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.
U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./Versus.al







