Një shtetas shqiptar 40-vjeçar, rezident në Gjermani, është arrestuar në Francën jugore teksa drejtonte një furgon të vjedhur, të ngarkuar me një sasi të konsiderueshme droge. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Céret, pranë kufirit me Spanjën.
Automjeti i llojit Fiat Ducato, i regjistruar në Francë por i vjedhur në nëntor, u ndalua nga autoritetet doganore pasi doli nga autostrada. Sjellja kontradiktore e shoferit ngriti dyshime: ai nuk ishte në gjendje të kujtonte në cilin qytet spanjoll kishte qëndruar dhe pretendoi se ishte nisur drejt Marsejës për “një pushim të shkurtër”.
Pas kontrollit të detajuar, autoritetet zbuluan pako me drogë të fshehura në mënyrë profesionale në pjesë të ndryshme të furgonit. Në total u sekuestruan:
63 kilogramë marijuanë
15 kilogramë hashash
4 kilogramë kokainë
Në gjykatë, 40-vjeçari pranoi fajin pjesërisht, duke pohuar se ishte paguar për të kryer transportin, por pretendoi se mendonte se po transportonte vetëm hashash, dhe nuk ishte në dijeni për kokainën dhe sasitë e mëdha të tjera.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar rrjetin kriminal pas trafikut, ndërsa i dyshuari mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit për trafik ndërkombëtar droge dhe përdorim të automjetit të vjedhur. /Versus.al/







