Pas rrëzimit të kërkesës së Fatmir Mediut dhe avokatëve të tij nga gjyqtarja e posaçme Etleva Deda për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i dosjes “Gërdeci”, tashmë është vetë gjyqtarja Gjoka që kërkon të largohet nga gjykimi i çështjes.
Ditën e djeshme në datë 11 nëntor, ajo i është drejtuar nën/kryetarit të GJKKO-së Erion Bani të cilit i kërkon të largohet nga procesi. Gjyqtarja pretendon se është në kushtet kur nuk mund të jetë pjesë e gjykimit pasi ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë çështje dhe e mori gjykimin se i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. Por në kushtet kur i pandehuri ndryshoi qëndrim dhe pranua kërkesa e gjykimit me procedurë të zakonshme, dhe seancat gjyqësore kanë vijuar prej më se një viti, Irena Gjoka thotë se ndodhet në kushte papajtueshmërie që të vijojë këtë gjykim.
E pyetur nga avokatët e Fatmir Mediut në seancën e djeshme, Gjoka tha se mori shkas për kërkesën e saj të largimit, edhe nga vetë kërkesa e të pandehurit për largimin e saj që kërkoi përjashtimin e saj, por për shkaqe të tjera, që u rrëzua nga gjyqtarja Etleva Deda. Pritet që në lidhje me kërkesën e Gjokës të shprehet drejtuesi i GJKKO-së Erion Bani. Megjithatë seanca e djeshme vijoi me kundërshtimet e Mediut mbi deklarimet e ekspertëve. Procesi ndodhet në fazën ku kanë përfunduar paraqitja e provave të SPAK, dhe pritet të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga mbrojtja. Versus.al

