AKTUALITET /

Kajmaku fiton gjyqin me KQZ për shkarkimin nga bashkia e Vorës, do i paguhen 30 mijë euro dhe pagat e 4 viteve

Aktualisht Kajmaku dyshohet se është në burg në Itali pasi në 2022-in u arrestua me 20 kg kokainë.

Shkruar nga Versus

Kajmaku fiton gjyqin me KQZ për shkarkimin nga bashkia e Vorës, do i

Ish-kryetari i bashkisë së Vorës Agim Kajmaku ka fituar gjyqin me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shkarkimin e tij nga detyra 6 vite më parë.

Kajmakut do t’i paguhen të gjitha pagat për 4 vite nga bashkia Vorë gjithashtu dhe 30 mijë euro për dëm moral ndaj tij dhe familjarëve. Vendimi është marrë më 4 prill të këtij viti nga gjykata administrative e Tiranës. Bashkia e Vorës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë detyrohen të paguajnë Kajmakun me të gjitha pagat e një mandati të plotë, 4-vjeçar, edhe pse ai ushtroi vetëm 3 muaj të tij.

Më 1 nëntor 2019, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, KQZ vendosi të shkarkonte Kajmakun nga detyra e kryebashkiakut vetëm 4 muaj pasi ishte zgjedhur me arsyetimin se nuk kishte deklaruar arrestimin në Greqi për falsifikim parash.

Ndërkohë më 27 maj të vitit 2022, Agim Kajmaku u arrestua në Itali së bashku me nipin e tij pasi u kap me 20 kg kokaine në zonën e San Benedeto del Tronto. 

Historiku i problemeve të Kajmakut me drejtësinë shqiptare nisi në 2019-ën kur PD publikoi dokumente për të kaluarën e tij pak pasi ishte zgjedhur në krye të bashkisë Vorë në procesin pa konkurrentë sepse opozita asokohe bojkotoi zgjedhjet. Dokumentet e publikuara çuan fillimisht në shkarkimin e tij nga posti më 1 nëntor 2019, vetëm 3 muaj pasi kishte marrë detyrën, dhe pastaj dhe kërkesën për arrestim.

Kajmaku rezultoi se ishte arrestuar në Greqi nën akuzën e falsifikimit të parave, nën një emër tjetër, dhe se këtë fakt nuk e kishte deklaruar në fomularin e dekriminalizimit. Ish kryebashkiaku e mohoi fillimisht akuzën, por kur shenjat e gishtërinjve vërtetuan se bëhej fjalë për të njejtin person, dorëzoi vendimin e Gjykatës së Janinës e cila e kishte shpallur të pafajshëm.

Kërkesa për arrestimin e tij erdhi për shkak se u dyshua se kishte firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bsshkisë, në një kohë kur ai vetë ishte shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për muaj të tërë ai qëndroi në arrati, derisa u arrestua, ndërsa ishte shtruar në një spital privat për mjekim, në fillim të korrikut të vitit 2020. Por një ditë më pas, masa e arrestit u konvertua në “detyrim paraqitje”. Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Tiranës, pushoi çështjen e hapur ndaj tij dhe prokuroria u detyrua që të bënte ankim në Apel. Versus.al

 

Poll