
Mirela Bogdani është zgjedhur në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas shkarkimit të Alfred Ballës tre javë më parë.
Gjatë fjalës së saj si kandidate e vetme në garën për kreun e KLP, Bogdani prezantoi platformën ku përqendrohej më së shumti në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe rritjen e transparencës për publikun lidhur me veprimtarinë e institucionit dhe pastërtinë e figurës së prokurorëve.
“Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës”- tha ajo ndër të tjera.
Kualifikimet e Mirela Bogdanit:
Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universitetit të Tiranës në vitin 2000 dhe më pas ka ndjekur të gjitha programet e kualifikimit akademik pranë këtij institucioni. Ky formim përfshin programin e Masterit Shkencor në të Drejtë Publike (2003), Masterin Profesional të në Drejtë Biznesi (2009), Doktoraturën në fushën e administrimit të zgjedhjeve (2011) dhe titullin Profesor i Associuar (2013). Formimi akademik përfshin gjithshtu studime të thelluara pasuniversitare dhe specializime në fushat e arbitrazhit ndërkombëtar tregtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e investimeve publike në Universitetin e Queen Marry, Qendra për Arbitrazhin Ndërkombëtar Tregtar – Londër BM (2005) dhe në fushën e shkrimit & arsyetimit ligjor në American University, Washington College of Law – SHBA (2008-2009). Versus.al








