Një tjetër incident i lidhur me dyshimet për korrupsion zgjedhor është shënuar në Kavajë, ku efektivët e krimit ekonomik kanë shoqëruar në komisariat shtetasen Xhuli Duda, pas një takimi të zhvilluar në një lokal në pronësi të Elvis Roshit, një emër i njohur në zonë dhe i afërm i Elton Roshit, kandidat i Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur në posedim të saj një listë emërore me të dhënat e familjarëve, çka ka ngritur dyshime për përfshirje të mundshme në veprimtari të paligjshme të lidhura me orientimin e votës. Burime për Versus.al pranë uniformave blu bëjnë me dije se Duda po merret në pyetje, pasi ekziston dyshimi se ka marrë një shumë parash në funksion të këtij qëllimi.
Ndërkohë, policia pritet të marrë një deklaratë edhe nga vetë Elvis Roshi, për të sqaruar rrethanat e takimit dhe lidhjen me listën e sekuestruar. /Versus.al/







