Tiranë- Policia ka arrestuar Edison Pulën, anëtarin e bandës së Niklës i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi rezulton i dënuar me 14 vite burg nga autoritetet franceze.
Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për disa vepra penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.
Ai njihet me pseudonimin “zbërthyesi i qelive” pasi në 2016-ën arriti të arratisej nga burgu i Krujës ndërsa vite më pas u arratis nga burgu i Trevisos në Itali.
Gjithashtu edhe Italia e ka dënuar në mungesë me 8 vite burg për akuzën e vjedhjes. Sipas autoriteteve italiane, gjatë periudhës janar-tetor 2020 Pula së bashku me disa persona të tjerë kryen 47 vjedhje në provincat e Bolzanos, Trentos, Veronas dhe Bellunos. Gjatë grabitjeve të tij ai ka arritur të vjedhë qindra mijëra euro, bizhuteri luksi dhe ora të shtrenjta.
Më herët në Shqipëri ai është arrestuar si një prej pjesëtarëve të bandës së Niklës që kryen atentat ndaj Gentjan Bejtjas në fshatin Larushkë të Fushë Krujës. Bejtja i shpëtoi atentatit, por dy vite më vonë, në 2024-ën u ekzekutua në të njëjtin fshat jashtë banesës së tij. Versus.al







