
Dy prej fshatrave që zhvilluan protesta para zgjedhjeve, kanë votuar masivisht PS. Kështu paraqitet situata në Hotolisht të Librazhdit ku ditë më parë qindra banorë protestuan dhe në Tragjas të Vlorës ku banorët u përplasën edhe me policinë për shkak se projekti i ujësjellësit e lë pa ujë fshatin e tyre.
Banorët e Hotolishtit madje bënë edhe veprime simbolike si paraqitja me një arkivol për të simbolizuar ‘vdekjen e fshatit’ për shkak se projekti i zgjerimit të rrugës “Librazht Prrenjas’ që i lidh me Qafë Thanën parashikonte shembjen e banesave të tyre.
“Jemi gati të përgjigjemi! Ose ne, ose ju!”, shkruhej në një nga pankartat, ndërsa një përfaqësues i tyre u shpreh: “Institucionet po heshtin. Ky arkivol përfaqëson shtëpinë tonë të fundit. Jemi të detyruar të reagojmë.”
Ndërsa në Tragjas, banorët u përplasën edhe me policinë duke akuzuar pushtetarët se me projektin e ujësjellësit do të furnizonin resortet e të pasurve në Ksamil duke i lënë banorët e këtij fshati pa ujë. Megjithë këto protesta dhe paralajmërime të banorëve ndaj qeverisë, shumica e tyre kanë votuar për PS-në në këto zgjedhje. Versus.al







