
Më 8 korrik në orën 12:00 do të zhvillohet gjyqi në Gjykatën e Lartë ku kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj kërkon lirinë nga qelia e paraburgimit të Durrësit ku mbahet prej 12 shkurtit.
Kërkesa e tij do të shyqrtohet nga trupa gjykuese Medi Bici, Albana Boksi e Sokol Binaj.
Më herët, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar disa kërkesa të Veliajt për t’u liruar nga qelia ndërsa SPAK po e heton kreun e bashkisë më të madhe të vendit për korrupsion, pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe akuzë tjetër e shtuar gjatë paraburgimit “futja e sendeve të paligjshme në qeli”.
Duke qenë se cilësohet si çështje me prioritet për shkak se bëhet fjalë për kreun e bashkisë më të madhe të vendit, gjykata ka vendosur gjykim me procedurë të përshpejtuar duke caktuar seancën në momentin më të përshtatshëm për trupën gjykuese.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa e cila po ashtu hetohet për korrupsion dhe pastrim parash nën masën “detyrim paraqitje”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një skemë të mirëorganizuar të përvetësimit të fondeve publike nga bashkia e Tiranës.
Pjesë e kësaj skeme, dyshohet të jenë edhe biznesmenë të cilët përfitonin nga tenderat e bashkisë dhe kryenin pagesa të ndryshme tek qendra “Harabeli” nën pronësinë e Ajola Xoxës. Aktualisht biznesmeni Elman Abule po hetohet nën arrest shtëpie, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha po hetohen nën masën “detyrim paraqitje”. Versus.al







