
Kryedemokrati Sali Berisha u paraqit sot në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar në kuadër të dosjes për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Berisha u përqendrua në zhvillimet e ditëve të fundit lidhur me dënimin e gjyqtares Irena Gjoka në Greqi dhe faktin që KLGJ nuk pranoi të niste verifikim ndaj saj.
Berisha akuzoi Gjokën për mashtrim duke thënë se nuk kishte treguar të vërtetën kur ishte pyetur nëse ishte dënuar më parë. Duke e quajtur ‘rrugaçe të ligjit’, Berisha tha se Gjoka ishte keqpërdorur nga kryeministri Edi Rama për të sulmuar opozitën.
“Nxori KLGJ-në e Llagamit, e kuptoni vetë, dhe tani të Rusit, në mbrojtje të saj, dhe jo vetëm nuk u tërhoq ose u pezullua siç e kërkon ligji, por edhe me datën 5 maj 2025, pra një vit më pas, kur Sali Berisha tregoi vendimin e gjykatës së Janinës me vulë apostile, ajo doli publikisht, mashtroi para shqiptarëve si ordinere, duke thënë se nuk kam qenë kurrë e dënuar.E kujtoni apo jo këtë?
Sa është kjo për një gjykatëse, për figurën? A nuk është kjo një antigjykatëse, një rrugaçe e ligjit? A nuk përbën kjo një rrugaçe të ligjit? Më thoni ju mua këtu. Pesë. Kujtoj këtu se sa dramatike është situata e drejtësisë po të mbahet parasysh këtu se ajo ka qenë edhe kryetare e GJKKO.
Sipas nenit 66, pika tre e ligjit, kryetari i gjykatës ka për detyrë të njoftojë KLGJ-në për çdo situatë kur ekziston dyshimi për shkaqe që sipas ligjit përjashtojnë mundësinë e dikujt për të ushtruar detyrën e magjistratit. Kjo e bën për çdo njeri, por jo për veten e vet. E fsheh. Siç është rasti i ekzistencës së një vendimi penal që neni 28 i ligjit 26 e konsideron skualifikues për ushtrimin e detyrës së magjistratit. Por nuk është vetëm Irena fytyra e shpifur të kapjes dhe keqpërdorimit të drejtësisë nga Rama dhe Soros-reforma. Ju kujtoj se faktet për Irena Gjokën nuk kanë qenë thjesht mediatike. Ato i janë paraqitur institucioneve të drejtësisë në rrugë ligjore me dokumente zyrtare”- u shpreh Berisha për gjyqtaren e cila firmosi masat e sigurisë ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Versus.al


