
Ditën e djeshme një foto e publikuar mes ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe atij që njihet si “bosi i inceneratorëve”, Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga SPAK, ka bërë bujë të madhe në media.
Në lidhje me fotot e publikuara, nga dosja e siguruar, Versus.al mëson se janë realizuar në datat 13 dhe 14 prill 2013, në kohën kur Niko Peleshi mbante postin e kryetarit të bashkisë së Korçës dhe së bashku me drejtorin e Ujësjellësit asokohe, Petrit Tare janë takuar me Klodian Zoton në Itali ku kishin shkuar për të parë sesi aplikohej zbatimi i impianteve fotovoltaike.
Rezulton se Klodian Zoto si administrator i kompanisë “F.M.O shpk” kishte dorëzuar një propozim për ndërtimin e një impianti fotovoltaik që do të krijonte energji nga trajtimi i ujërave të ndotur në bashkinë e Korçës. Për të parë projektin, Peleshi së bashku me Taren janë nisur drejt Italisë për të parë zbatimin e këtij projekti dhe nëse kompania “Futura” i kishte kapacitetet e nevojshme për ta vënë në zbatim. Ajo çfarë bie në sy është fakti se Niko Peleshi, Petrit Tare, Mirel Mërtiri, italiani Francesko Pistrito janë nisur nga Rinasi drejt Romës në të njëjtën ditë 11 prill 2013 dhe janë kthyer po ashtu në të njëjtën ditë 14 prill 2013 me linjën “ALITALIA”. Ndërsa Arben Ahmetaj, asokohe deputet, kishte udhëtuar drejt Romës një ditë më vonë për t’u kthyer në Tiranë në të njëjtën ditë me të sipërpërmendur.
Në dëshminë e tij të dhënë në SPAK në mars të këtij viti, Peleshi bie në kundërshtim me faktet, duke deklaruar se drejt Italisë kishte udhëtuar vetëm me Petrit Taren i cili i kishte prezantuar projektin e impiantit fotovoltaik duke i treguar se investimi do kryhej nga investitorë privatë dhe jo nga kreditë e bankës gjermane siç kishte ndodhur zakonisht me projekte të tilla.
“Drejtori Petrit Tare më tha se nuk do ta financonin si deri atëherë ishin financuar projektet e ujësjellësit, pra përmes kredisë së Bankës Gjermane, por me një financim nga investitorët private. Mesa më kujtohet duhet të ketë qenë para zgjedhjeve të vitit 2013, ndoshta nga pranvera e këtij viti, kur jam nisur bashkë me Petritin, për në Itali. Udhëtimi është kryer me avion. Nuk më kujtohet të ketë qenë me ne ndonjë person tjetër përveçse unë me Petritin. Në këtë kohë, oferta ishte dorëzuar pranë UKKO-së dhe Petriti më tha që të shkonim në Itali”- shprehet Peleshi.
Sa i takon fotos, Peleshi ka treguar se nuk njihej më parë me Klodian Zoton dhe se nuk e dinte pozicionin e tij në projektin e propozuar ndaj Ujësjellësit të Korçës. Ai shton se kur ka mbërritur në Itali ka parë Klodian Mërtirin të cilin e njihte, nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Arben Ahmetajt dhe aty është bërë fotoja.
Lidhur me pagesat e biletave dhe qëndrimin e tij në Itali, ministri tha se duke qenë se ishte ftuar nga ndërmarrja e Ujësjellësit të Korçës, pagesat duhet të ishin bërë nga kjo kompani.
“Në Itali nuk më kujtohet se në çfarë vendi kemi shkuar por kur kemi shkuar aty kemi takuar Klod Mertirin dhe nja dy persona të tjerë italianë që ishin të kompanisë ku do shihnim zgjidhjen e aplikuar të impiantit fotovoltaik. Kemi fjetur në nje hotel, nuk më kujtohet sa kemi qëndruar por besoj vetëm një natë. Unë kam fiksuar që kam qenë në të njëjtin hotel me Petritin por nuk mbaj mend persona të tjerë. Nuk më kujtohet nëse Klod Mërtiri ka qëndruar në të njëjtin hotel me ne. Emri i hotelit nuk më kujtohet. Në lidhje me pagesat për qëndrimin në hotel dhe për biletën e avionit, pra për gjithë udhëtimin, unë nuk kam bërë pagesa pasi isha i ftuar nga ndërmarrja UKKO Korçë dhe në këtë mënyrë prezumoj që pagesat i ka kryer kjo ndërmarrje”- tregon ministri.
Por kjo deklaratë e Peleshit ka rënë në kundërshtim me Petrit Taren, drejtorin e Ujësjellësit të asaj periudhe i cili ndryshe nga ministri pranoi se kishin udhëtuar me Klodian Zoton drejt Romës dhe se ky i fundit u kishte paguar biletat dhe më pas i kishte transportuar me makinën e tij nga aeroporti drejt hotelit ku do qëndronin. Tare tregon më tej se nuk ka pasur dijeni kush ka paguar qëndrimin në hotel, duke hedhur poshtë pretendimin e ministrit Peleshi se pagesa mund të ishte kryer nga Ujësjellësi i Korçës.
“Në këtë vizitë kam udhëtuar me shtetasin Klodian Zoto dhe Niko Peleshi, nga Tirana nëpërmjet Rinasit në drejtim të Barit. Më pas atje kemi udhëtuar me makinë me qera për në Romë. Makinën e ka paguar Klodiani, i cili kur zbritëm në aeroportin e Barit, vajti mori makinën dhe erdhi na mori të gjithëve. Biletën time të avionit e ka paguar shtetasi Klodian Zoto ndërsa për shtetasin Niko Peleshi, nuk më kujtohet. Rrugës për në Romë kemi pare impjante fotovoltaikë. Në udhëtimin nga Bari për në Romë ka qenë prezent dhe shtetasi Mirel Mërtiri, por nuk më kujtohet se ku jemi takuar fillimisht. Nëse ka ardhur që nga Rinasi a jemi në takuar në Bari këtë nuk e mbaj mend”- ka dëshmuar Tare i cili tregon gjithashtu se nuk ka paguar ai për darkën në restoratin ku shfaqet në foto me Peleshin dhe Mërtirin.
Miratimi i këtij projekti të diskutuar mes të përfshirëve, u bë një javë para se Peleshi të linte detyrën e tij si kryebashkiak i Korçës për të marrë postin e zv.kryeministrit të qeverisë socialiste të sapomandatuar. Më 7 shtator të 2013-ës, pasi PS fitoi zgjedhjet parlamentare dhe socialistët erdhën në pushtet, Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi projektin që do të kishte një vlerë investimi deri në 1.7 milionë euro, ndërsa Ujësjellësi i Korçës do të paguante në vit shumën neto prej 1.993.474 eurosh për një kompani ku i vetmi punonjës rezultonte të ishte Klodian Zoto.
Roli i italianit, Francesko Pistrito
I pyetur nga SPAK, Pistrito ka deklaruar se ai kishte pasur rolin e asistentit të Klodian Zotos për të marrë një kredi në bankën italiane “Veneto Bank” për realizimin e projektit të impiantit fotovoltaik. Ai tha se gjatë inspektimit që i kishte bërë projektit për të parë nëse do të mund të merrte kredinë e kërkuar nga Zoto, kishte dalë në përfundimin se kompania “FUTURA” nuk kishte as kapacitetet njerëzore dhe as ato ekonomike për kryerjen e projektit.
Pavarësisht kësaj, projekti nisi zbatimin dhe Peleshi ka deklaruar në SPAK se nuk kishte pasur dijeni mbi ecurinë e projektit dhe se e kishte parë të realizuar vetëm në vitin 2019 kur kishte shkuar në vendin e zbatimit me deputetët e komisionit të veprimtarisë prodhuese. Versus.al








