AKTUALITET /

Kopjoi pa autorizim të dhënat e TIMS, merret i pandehur drejtori i IT në Policinë e Shtetit

Ervin Muça nuk e informoi drejtorin e Përgjithshëm asokohe Muhamet Rrumbullakun për nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Shkruar nga Versus
Kopjoi pa autorizim të dhënat e TIMS, merret i pandehur drejtori i IT
Ervin Muça, drejtor i IT në Policinë e Shtetit

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muçën i cili akuzohet se kopjoi pa autorizim të dhënat e sistemit TIMS.

Ndaj tij rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Aktualisht Muça është nën arrest shtëpie, mase e caktuar nga gjykata më 9 prill të 2024-ës, në të njëjtën datë kur edhe drejtori i përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku e pezulloi nga detyra.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në orët e vona të 2 gushtit 2023.

"Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02 gusht 2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. 'Mine Peza' në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Asokohe Muça reagoi më 25 gusht të vitit 2023 duke thënë se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë. Ndërsa opozita e akuzonte drejtorin e IT se kishte ndërhyrë në serverin e TIMS duke marrë të dhënat me një USB.

Prokurori e Tiranës informon se hetimet janë shtrirë në marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë në ditën e ngjarjes, ndërkohë që verifikimet e mëtejshme mbi drejtorin Muça, kanë nxjerrë në dritë probleme dhe me të kaluarën e tij në Itali.

Më 17 gusht 2023  i ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë H. Martin McDowell bëri në takimin me ministrin e Brendshëm Taulant Balla ku shprehu shqetësimin lidhur me ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit dhe nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm.

Më 25 gusht 2023 në një konferencë për median kryeministri Edi Rama e quajti sajesë dhe e gjitha kishte të bënte me një çështje thjesht teknike. Hetimet kanë nisur që prej shtatorit të vitit 2023. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: