
Një 33-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në det në Rethimno të ishullit të Kretës.
Viktima është Roland Sala, me origjinë nga Peshkopia, i cili prej vitesh jetonte në Angli. Sipas të afërmve dhe Komunitetit Shqiptar në Rethimno, ai kishte udhëtuar drejt Kretës për të kaluar pushimet pranë familjarëve.
Ngjarja ndodhi gjatë kohës që 33-vjeçari po lahej në det, ku u përfshi nga dallgët dhe pësoi asfiksi. Ai u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Rethimnos, ku për rreth dy javë qëndroi në kujdesin intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij nuk u përmirësua dhe Roland Sala ndërroi jetë.
Trupi i pajetë i të riut shqiptar do të transportohet drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohet ceremonia mortore.
Komuniteti Shqiptar në Rethimno ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e 33-vjeçarit, duke e cilësuar ngjarjen një humbje të madhe për komunitetin shqiptar në ishull./Versus.al

