
Në GJKKO u zhvillua këtë të hënë seanca e dytë e gjykimit në themel ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Pas përfundimit të seancës, Kryemadhi foli shkurtimisht për mediat, duke komentuar me tone ironike atmosferën brenda sallës së gjyqit.
E pyetur nga gazetarët nëse kishte pasur tensione gjatë procesit, ajo u përgjigj:
“Nuk kishte tensione. I vetmi tension ishte se filloi të na pikojë kondicioneri te salla e re. E kam me të vërtetë”, tha Kryemadhi me batutë.
Gjatë seancës, Ilir Meta qëndroi në kafazin prej xhami të sigurisë, ndërsa Monika Kryemadhi ishte ulur përpara tij në sallë. Sipas asaj që u vu re gjatë procesit, Kryemadhi nuk e ktheu në asnjë moment kokën nga ish-bashkëshorti i saj.
Në një moment të seancës, Meta është parë duke përshëndetur mbështetësit dhe mediat me simbolin e dy gishtave, ndërsa më pas ka bërë edhe simbolin e shqiponjës me duar.
SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

