
Monika Kryemadhi ka folur në seancën gjyqësore ndaj Ilir Meta në GJKKO, ku ngriti shqetësime lidhur me provat dhe materialet hetimore të dorëzuara nga SPAK.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi deklaroi se mbështet kërkesat e avokatit mbrojtës Kujtim Çakrani për mënyrën se si po mbahet Ilir Meta në sallën e gjyqit, brenda kafazit të qelqtë.
“Jam dakord me kërkesat e avokatit Çakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim, edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah”, u shpreh ajo.
Ish-deputetja tha gjithashtu se ka marrë një USB me prova nga akuza, por sipas saj materiali nuk hapet, duke kërkuar që t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet dhe përgjimet e administruara në hetim.
“Kërkoj të merren masa të më vendoset siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim familjarëve”, deklaroi Kryemadhi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK pranuan problemin teknik me USB-në, duke deklaruar se çështja do të zgjidhet.
“Do ta zgjidhim, do ta japim”, u shpreh prokuroria në sallë.
Debati vijoi edhe për përgjimet ambientale, ku Kryemadhi insistoi se në listën e provave përmenden mbi 20 përgjime, të cilat sipas saj mungojnë në materialet e dorëzuara mbrojtjes.
“Dua edhe përgjimet. Në listën e provave thuhet që ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale, kështu që duam t’i marrim. Në ato materiale nuk ekzistojnë”, tha ajo.
Nga ana e saj, gjykata sqaroi se nuk mund të vërë në dispozicion materiale që nuk i disponon, ndërsa theksoi se është detyrim i organit procedues që t’ua dorëzojë palëve të gjitha aktet hetimore.

