
Katër vrasje të huajsh të regjistruara në vitet e fundit në Medellín dyshohet se janë kryer nga grupi i njohur si “La Oficina Premium”, një rrjet kriminal i specializuar në vrasje me pagesë, i fokusuar tek persona të huaj me “vlerë të lartë” në kryeqytetin e Antioquia-s dhe qytete të tjera të Kolumbisë.
Viktimat përfshijnë një shtetas shqiptar, një meksikan, një amerikan dhe një kanadez, sipas hetimeve fillestare të autoriteteve.
Sipas mediave vendase rrjeti u zbulua pas arrestimit të nëntë anëtarëve të dyshuar brenda një banese në lagjen Kennedy, komunë 7 (Robledo), në veriperëndim të Medellín-it.
Një nga rastet e përfshira është ai i meksikanit Horacio Pérez Ledezma, 54 vjeç, një tregtar i produkteve teknologjike, i sulmuar ndërsa po hante në një restorant në zonën e Provenza, El Poblado.
Në këtë rast është i hetuar edhe Elder José Arteaga Hernández, i njohur si “El Costeño” ose “Chipi”, i dyshuar gjithashtu për vrasjen e kandidatit presidencial Miguel Uribe Turbay.
Një tjetër viktimë është Artur Tushi, 44 vjeç, shtetas shqiptar-ekuadorian, që u qëllua 11 herë jashtë qendrës tregtare Santafé në El Poblado.
Ky krim lidhet me trafikun e njerëzve dhe narkotrafikun që përfshin banda kriminale shqiptare, ekuadoriane dhe kolumbiane.
Sipas autoriteteve, ky grup kishte lidhje edhe me vrasje të kryera në Meksikë, Republikën Dominikane dhe Kilë, të cilat dyshohet se janë urdhëruar nga organizata transnacionale.
Çmimi i vrasjes së të huajve ishte midis 400,000 dhe 500,000 dollarë, dhe pagesat dyshohet se bëheshin përmes transferimeve në llogari në parajsa fiskale ose kriptomonedha. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan tetë armë, përfshirë një mitraloz dhe disa revolverë.
Sipas hetimeve, ky rrjet kriminal përdorte rituale satanike dhe sakrifikonte kafshë, për t’u “mbrojtur” gjatë krimeve dhe për të mashtruar klientët që paguanin shuma të mëdha për shërbime të tilla.
Deri tani, hetimet janë paraprake dhe nëntë të dyshuarit po përballen me akuza për trafik dhe mbajtje të paligjshme armësh, por autoritetet po përpiqen të lidhin këtë rrjet me të gjitha krimet e përmendura ndaj të huajve./Versus.al

