AKTUALITET /

Kush është gruaja e call centerave që sfidon Policinë? Profili i një të panjohure që ka pushtuar tregun e Tiranës

V.T, është një nga personazhet që po përmendet në këtë realitet të ri. Sipas burimeve të Versus, ajo së bashku me bashkëjetuesin e saj administron disa pika call center-ash në Tiranë.

Shkruar nga Versus

Kush është gruaja e call centerave që sfidon Policinë?

V. T, një emër deri vonë pak i njohur në Tiranë, rezulton sot, sipas burimeve të Versus, një nga figurat më aktive në tregun e ri të call center-ave. Ky treg duket se ka hyrë në një fazë të re riformatimi pas goditjeve të forta që erdhën si rezultat i hetimeve të autoriteteve të vendeve partnere, të cilat çuan në goditjen dhe daljen nga skena të disa prej operatorëve më të mëdhenj të viteve të fundit. Në vend të tyre, sipas të njëjtave burime, kanë hyrë aktorë të rinj që kanë zënë me shpejtësi hapësirat e krijuara.

Një grua në treg

V.T, është një nga personazhet që po përmendet në këtë realitet të ri. Sipas burimeve të Versus, ajo së bashku me bashkëjetuesin e saj administron disa pika call center-ash në Tiranë. Burimet pretendojnë se në këto ambiente vijon aktiviteti i mashtrimit të qytetarëve europianë përmes skemave të investimeve online, ndërsa aktiviteti zhvillohet pa u goditur, praktikisht nën hundën e strukturave ligjzbatuese. Po sipas burimeve të Versus, zonja e re në treg është aksionere në 3 kompani, ndërsa një prej tyre  është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt aktivitet i telemarketingut (ëeb call center), shitje online, prenotimi online, shërbim klienti etj.

Sigurisht siç ndodh pas çdo aktiviteti të tillë, është e detyrueshme ti drejtohesh një sektori për të cikluar milionat e përfituara në mënyrë të paligjshme, ndërtimit.

Aksionere në një tjetër shpk kompani, fondet shkojnë për ndërtime godinash industriale, pallate, ndërtesa të ndryshme private dhe publike etj. Paratë vërshojnë dhe në biznese të tjera kryesisht në turizëm.

Ndërsa në Tiranë tregu i call centerave po pëson metamorfozën e radhës, biznesi vazhdon, e bashkë me to dhe aktivitetet ‘mbështetës’, mu në zemër të kryeqytetit. Versus.al

Poll