Një shqiptar i arrestuar për trafikim droge, i cili fotografoi veten i rrethuar nga 250 mijë paund cash, i është lejuar të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas The Telegraph, Home Office (Ministria e Brendshme) dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) po kërkojnë të esktradojnë Olsi Behelulin, 33 vjeç, i cili u dënua me 11 vite burg për rolin e tij në një rrjet trafikimi heroine.
Ata thonë se Beheluli, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte 9 vjeç, siguroi shtetësinë britanike pasi pretendoi se nuk ishte i përfshirë në kriminalitet në formularin e tij të aplikimit për shtetësi.
Një shqiptar i dënuar për trafik heroine është lejuar të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht provave të qarta për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale dhe përpjekjeve të autoriteteve britanike për ta dëbuar. Rasti i Olsi Behelulit, 33 vjeç, është një nga shembujt më të fundit të denoncuar nga gazeta britanike The Telegraph, ku kriminelë të huaj të dënuar arrijnë të shmangin ekstradimin duke u mbështetur në boshllëqe ligjore dhe të drejtat e njeriut.
Beheluli, i cili mbërriti në Britani në vitin 2000 në moshën 9-vjeçare së bashku me familjen e tij që kërkonte azil, fitoi shtetësinë britanike në prill të vitit 2014. Por vetëm tetë muaj më pas, ai u arrestua nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) në Londër, duke transportuar 8 kilogramë heroinë me vlerë rreth 200 mijë paund drejt një “shtëpie të fshehtë” në Neasden. Në telefonin e tij, hetuesit gjetën një fotografi ku ai shfaqej i rrethuar nga 250 mijë paund cash — një imazh që u përdor më vonë si provë për të vërtetuar përfshirjen e tij në një rrjet të organizuar droge.
Më 1 prill 2015, Gjykata e Kurorës në Blackfriars e shpalli atë fajtor për komplot për të furnizuar drogë të klasit A dhe e dënoi me 11 vjet burg.
Pasi u bë publik fakti se Beheluli kishte mashtruar autoritetet gjatë aplikimit për shtetësi — duke deklaruar se nuk kishte asnjë të kaluar kriminale — Home Office dhe NCA kërkuan ekstradimin e tij, duke argumentuar se ai kishte paraqitur informacione të rreme dhe nuk meritonte të mbetej në vend.
Autoritetet britanike këmbëngulën se një personi të besuar me një sasi kaq të madhe heroine nuk do t’i jepej një ngarkesë e tillë nëse nuk ishte më parë i përfshirë në rrjete kriminale. “Është përtej logjikës të pranohet se ai do të përfshihej në një transaksion të tillë si fillestar,” u shpreh Home Office në gjykatë.
Megjithatë, gjykata e shkallës së parë e hodhi poshtë këtë argument duke thënë se nuk kishte prova të drejtpërdrejta, si mbikëqyrje apo dëshmi të zyrtarëve policorë, që të provohej se Beheluli kishte qenë aktiv në krimin e organizuar përpara marrjes së shtetësisë.
Tribunali vendosi se “mungesa e provave konkrete” nuk mjaftonte për të vërtetuar se ai kishte mashtruar në deklarimet e tij, dhe si pasojë, i dha të drejtën për të qëndruar në Britani.
Megjithatë, Home Office apeloi vendimin dhe arriti të sigurojë një ridëgjim të çështjes. Një gjykatë më e lartë vendosi se qasja e gjykatës së mëparshme ishte e mangët dhe nuk merrte parasysh “logjikën e shëndoshë” që mbështeste argumentin se Beheluli kishte një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës, bazuar në sasinë dhe vlerën e lëndës narkotike që i ishte besuar.
Ky rast vjen në një kohë kur qeveria britanike po shqyrton ndryshime ligjore për të kufizuar përdorimin e neneve 8 dhe 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat aktualisht përdoren shpesh nga kriminelët për të shmangur dëbimin me pretendimin për të drejtën për jetë familjare apo mbrojtjen nga trajtimi çnjerëzor.
Në dokumentet e gjykatës, thuhet gjithashtu se ndonëse kërkesat fillestare të babait të Behelulit për azil u refuzuan, në vitin 2006 familjes iu dha leje diskrecionare për të qëndruar, e cila më vonë u shndërrua në leje të pacaktuar qëndrimi. Asnjë provë nuk tregon se prindërit e tij janë përfshirë në ndonjë veprim të paligjshëm.
Rasti i Behelulit është shndërruar në një simbol të debatit të ashpër në Britani mbi sigurinë, drejtësinë dhe sistemin e imigracionit — duke rritur presionin mbi qeverinë për të forcuar mekanizmat që parandalojnë abuzimin me të drejtat ligjore nga persona me të kaluar kriminale. /Versus.al/







