Elvis Shkambi, 30 vjeç, ndërmori sot aktin ekstrem brenda gjykatës së Apelit të Tiranës duke ekzekutuar me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja dhe duke lënë të plagosur babë e bir, palë tjetër në proces Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Versus.al ka siguruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e bërë nga Gjon Shkambi, babai i autorit sa i takon zaptimit të pronës e cila sipas tij ishte zënë nga persona të paligjshëm. Sipas dosjes së padisë në kushtetuese, thuhet se gjykata e Shkodrës i kishte dhënë të drejtë Gjon Shkambit për pronën duke qenë se kishte vendimin e komisionit të kthimit të pronave.
Shkambi ka pretenduar se drejtoria e policisë së Shkodrës kishte refuzuar të mbështese zyrën përmbarimore. Ndërsa në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë kërkesëpadi thuhet se çështja nuk kalon për shqyrtim me argumentin se denoncuesi Gjon Shkambi nuk i kishte shteruar mjetet juridike dhe se duhej t|u drejtohej gjykatave të zakonshme për këtë çështje.
“Në këndvështrim të këtyre parashikimeve ligjore, në rastin konkret, Kolegji vlerëson se Gjykata nuk mund të investohet për shqyrtimin e kërkesës së kërkuesit për konstatimin e cenimit të së drejtës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerës, pasi legjislacioni i brendshëm parashikon mjete juridike që i ofrojnë rezultate konkrete për rivendosjen e kësaj të drejte kushtetuese. Për rrjedhojë, ai duhet t’u drejtohet gjykatave të zakonshme, në përputhje me parashikimet e KPC-së, dhe vetëm pasi të ketë shteruar garancitë e mbrojtjes që i ofrohen nga juridiksioni I zakonshëm gjyqësor, mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues”- thuhet në Vendimin nr. 295 të Kushtetueses të marrë më datë 03.12.2024
Pjesë nga padia në Kushtetuese e cila u shqyrtua nga: Kryetarja Holta Zaçaj dhe anëtaret: Marsida Xhaferllari,Marjana Semini:
1. Kërkuesi parashtron se është pronar i një sipërfaqeje të fituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP). Sipas tij, kjo sipërfaqe ka qenë pjesërisht e zënë me objekte, si dhe pjesërisht e lirë dhe në lidhje me të, bazuar në parashikimet ligjore në fuqi, ka ushtruar pa pengesë të drejtën e parablerjes.
Në kushtet kur vendimi i KKKP-së kishte pasaktësi, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër me kërkesëpadi për saktësimin e tij. Me vendimin nr. 119, datë 11.02.2002, kjo gjykatë ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë, duke saktësuar vendimin e KKKP-së. Në vijim, me vendimin nr. 20, datë 28.06.2010, Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
3. Në kushtet kur objekti në sipërfaqen e pronës së kërkuesit, konkretisht ish-Shkolla e Rezervave, Shkodër, ishte zënë nga posedues të paligjshëm, ai u është drejtuar disa zyrave përmbarimore për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Bazuar në kërkesën e kërkuesit dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër, me shkresën nr. 116 dkp., regj. 2158, datë 13.10.2022, Zyra e Përmbarimit Shkodër u është drejtuar 32 individëve, të cilët qëndronin forcërisht dhe në kundërshtim me ligjin në pasurinë e kërkuesit, për lirimin e banesave dhe ekzekutimin vullnetar të titullit ekzekutiv, ndërsa me shkresën nr. 116 dkp., regj. 2616, datë 31.10.2022, zyra e përmbarimit ka vendosur fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm të këtij titulli.
4. Veprimet e zyrës përmbarimore janë kundërshtuar gjyqësisht nga shtetasit Gj.S., N.P., N.N. dhe M.C., të cilët në datën 21.10.2022 i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Shkodër me kërkesëpadi, duke kërkuar edhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Në lidhje me tre të parët, me vendimin nr. 784 (4921), datë 24.11.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë, duke vlerësuar se ajo ishte paraqitur jashtë afatit 5-ditor të parashikuar nga neni 610, paragrafi i parë, i Kodit të Procedurës Civile (KPC). Po sipas gjykatës, pretendimet e paditësve se bëhej fjalë për gjë të gjykuar ishin të pabazuara, pasi vendimet për të cilat ata pretendonin cenim të këtij parimi ishin shfuqizuar. Nga ana tjetër, pretendimet se nuk kishin qenë palë në gjykimet e mëparshme të zhvilluara në lidhje me pasurinë ishin të pabazuara, pasi prona posedohej prej tyre në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa në lidhje me kërkesëpadinë e shtetasit M.C., me vendimin nr. 1669 (1545), datë 31.03.2023, kjo gjykatë ka vendosur kthimin e saj si rrjedhojë e mosplotësimit të të metave.
5. Po kështu, shtetasit Gj.S., N.P. dhe N.N. i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Shkodër me kërkesëpadi për sigurimin e padisë dhe për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Me vendimin nr. 38 (5086), datë 08.12.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur pushimin e gjykimit, duke vlerësuar se, sipas parashikimeve të nenit 202 të KPC-së, kërkesa për sigurimin e padisë nuk mund të ngrihej në fazën e ekzekutimit të vendimit. Në këto kushte, kërkesëpadia ishte e pabazuar në ligj. Nga ana tjetër, shtetasit M.Th, D.L., Gj.M., S.V., P.P., S.B., R.K., M.P., S.L. dhe P.Rr. kanë paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, duke kërkuar pushimin e ekzekutimit të lajmërimit për ekzekutim vullnetar të titullit ekzekutiv.
Me vendimin nr. 157 (1458), datë 27.03.2023, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur pushimin e gjykimit, me arsyetimin se neni 617 i KPC-së i njihte vetëm përmbaruesit gjyqësor të drejtën për të kërkuar pushimin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv.
6. Në datën 24.10.2024 kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë, sipas objektit.
Pretendimet e kërkuesit
7. Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se i është cenuar:
7.1. E drejta për proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës, pasi, pavarësisht detyrimit të përcaktuar në nenin 523 të KPC-së për të mbështetur përmbaruesin gjyqësor gjatë procedurës së ekzekutimit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka refuzuar të mbështesë Zyrën e Përmbarimit Shkodër, me pretendimin se nuk ekziston asnjë urdhër ekzekutiv që përcakton detyrime për personat e tretë posedues të paligjshëm në pronën e tij, në kundërshtim me vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe nenin 451/a të KPC-së. Kjo drejtori ka marrë përsipër kryerjen e vlerësimit të veprimeve përmbarimore dhe interpretimin e vendimit të gjykatës, titull ekzekutiv, ndonëse është bërë me dije nga zyra përmbarimore për parashikimet e nenit 603 të KPC-së.
7.2. E drejta e pronës, e garantuar nga neni 41 i Kushtetutës, pasi prej vitesh kërkuesi është në pamundësi të gëzimit dhe posedimit të pronës, si rrjedhojë e posedimit të paligjshëm të saj nga persona të tjerë.
7.3. E drejta për jetë private, pasi, si rrjedhojë e mosmarrjes së masave nga autoritetet shtetërore, atij dhe familjes së tij u janë shkaktuar dëme të mëdha psikologjike. Versus.al







